Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve në raport me popullsinë në gjithë Evropën.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2020, vendi ynë kishte vetëm 18.8 mjekë për 10 mijë banorë, një nga shifrat më të ulëta në Evropë dhe në rajon.
Nga ana tjetër, në vitin 2022, Gjermania mori 465 infermierë nga Shqipëria, një tregues i qartë i fluksit të madh të personelit mjekësor që po largohet nga vendi për t’u punësuar në shtetet e Bashkimit Evropian për mundësi më të mira pune dhe kushte më të mira jetese.
Por kjo situatë, ku mjekët shkollohen në Shqipëri dhe largohen pas specializimit, ka krijuar një boshllëk të dukshëm në shërbimin shëndetësor të vendit tonë, duke bërë që shumë qytetarë të përballen me mungesë të mjekëve dhe infermierëve në spitale dhe qendrat shëndetësore.
Në spitalin e Shkodrës, mjekët dhe infermierët kërkohen vetëm me lupë dhe për të mos lënë qytetarët pa shërbim shëndetësor, në ndihmë vijnë macet.
Në hollin dhe recepsionin e këtij spitali, nuk të zë syri asnjë mjek apo infermiere, por vetëm një mace e cila duket se është e gatshme për të ndihmuar pacientët.