Lazarati/ Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimet e përjetshme, prish vendimin për Alban Alikon dhe Erjon Kasmën

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 02.03.2025, 20:05

Gjykata e Lartë ka përfunduar shqyrtimin e kërkesës së të pandehurve të “grupit të zjarrit,” të akuzuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në Lazarat. 11 të pandehurit kishin kërkuar shfuqizimin e vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda të dhënë më parë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, Albion Aliko dhe Bajram Boçi do të vuajnë dënim me burgim të përjetshëm për sulmin ndaj forcave speciale RENEA në vitin 2015, ku humbi jetën efektivi Basha dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.

Gjykata e Lartë ka ulur dënimet për dy të akuzuar të tjerë, duke marrë parasysh ligjin për të miturit. Vendimi është marrë më 27 shkurt. Ndërkohë, 5 të dënuar të tjerë do të rigjykohen nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me fashikullin e dytë të dosjes.

Gjykata e Lartë nuk ka ndryshuar dënimin ndaj Albion Alikos dhe Bajram Boçit, të akuzuar si pjesëtarë të “Grupit të Zjarrit” në Lazarat, që sulmuan forcat speciale RENEA gjatë një operacioni për shkatërrimin e parcelave të kanabisit. Shkalla e tretë e gjyqësorit ka ndryshuar vetëm dënimet për Alban Alikon dhe Elson Kasmën, të cilët ishin gjithashtu të përfshirë në ngjarje, dhe u shpallën të dënuar me 12 vite burg, krahasuar me 20 dhe 18 vitet e mëparshme.

Për kujtesë, më 24 qershor 2015, në Lazarat të Gjirokastrës, forcat e policisë hynë në zonë për të pastruar territorin nga kultivimi i kanabisit. Gjatë operacionit, shkëmbimi i zjarrit mes banorëve dhe forcave të policisë shpërtheu, dhe furgoni me efektivë u qëllua nga një distancë prej rreth 200 metrash, pasi grupi kishte ngritur një pritë të organizuar. Si pasojë e të shtënave, humbi jetën efektivi Ibrahim Basha, ndërsa Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj u plagosën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit