Një shtetas shqiptar, i cili në vitin 2018 drejtonte një grup të trafikut të njerëzve nga Belgjika në Britaninë e Madhe, dyshohet se është rikthyer ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu si dikur transportonte emigrantë me kamionë.
Gazeta britanike Mail on Sunday, shkruan se ish-udhëheqësi i këtij rrjeti të trafikimit, i cili ishte dëbuar dhe kishte vuajtur gjysmën e dënimit, është kthyer sërish në Britani.
Sipas raportit, emigrantët e trafikuar nga ky grup paguanin 13,000 paund për të udhëtuar në pjesën e përparme të kamionëve dhe 8,000 paund për pjesën e pasme. Ai u arrestua në vitin 2018 në apartamentin e tij në juglindje të Londrës dhe u ekstradua në Belgjikë një vit më pas, ku ishte dënuar në mungesë me 10 vjet burg.
Pas lirimit nga burgu, ai publikoi foto dhe video në rrjetet sociale, ku shfaqej duke drejtuar makinën në rrugët e Londrës. Disa ditë më vonë, ai i fshiu postimet, pasi ekspozonin praninë e tij në Britani.
I pyetur nga gazetarët se si kishte arritur të rikthehej, ai u shpreh: “Kam dokumente… Çfarë do të thotë që nuk kam të drejtë të kthehem? Nuk kam kryer asnjë krim në Mbretërinë e Bashkuar.”
Megjithatë, sipas Mail on Sunday, zyrtarët britanikë të emigracionit nuk kanë të dhëna për hyrjen e tij në vend. Ai ka deklaruar se ka udhëtuar ligjërisht nga Shqipëria për në Aeroportin e Lutonit, por autoritetet nuk e kanë regjistruar këtë lëvizje, duke ngritur dyshime se ai mund të jetë futur ilegalisht në Britani.