Banorët e një pallati pranë rrugës “Xhanfize Keko” në Tiranë kanë ngritur shqetësimin për një problem të vazhdueshëm me ujrat e zeza që ndodhin prej disa muajsh. Ata raportojnë se, edhe pas disa tentativave për zgjidhje, autoritetet përkatëse nuk kanë arritur të ndërhyjnë në mënyrë efikase.
Sipas banorëve, herën e fundit që u thirr Njesia e Ujësjellës Kanalizime, ata u informuan se pusetat ishin të bllokuara dhe se duhen mjete për t’i pastruar, por ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Banorët e shqetësuar, kërkojnë një zgjidhje urgjente për të shmangur çdo rrezik për shëndetin e tyre. Ata kanë shprehur gatishmërinë për të ndërhyrë vetë, duke marrë një pompë dhe duke e larguar ndotjen në rrugë, për të siguruar një mjedis më të pastër dhe të sigurt për familjet e tyre.
Denoncimi i qytetarit:
“Jam banor i pallatit pranë rrugës Xhanfize Keko në Tiranë dhe prej disa muajsh kemi një problem të vazhdueshëm me ujrat e zeza, të cilin nuk po e zgjidhim dot me autoritetet përkatëse. Herën e fundit që erdhi Njesia e Ujësjellës Kanalizime, na informuan se pusetat janë të bllokuara dhe për këtë arsye nuk mund të ndërhyjnë, duke kërkuar mjete të posaçme. Jemi familje me fëmijë të porsalindur dhe kjo situatë është shumë shqetësuese. Ju lutem, shqyrtoni rastin sepse jam gati të marr një pompë dhe të heq këtë ndotje nga rruga vetë.”