“Shoferi i drejtorit të Tatimeve me djemtë e tij dhunojnë brutalisht punonjësin e Illyrian Guard, policia mban të fshehtë ngjarjen”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.03.2025, 21:06

Një rast i rëndë dhune ka ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Vlorës, ku një punonjës i "Illyrian Guard", shtetasi Ervis Belishaku, është sulmuar dhe ka përfunduar në spital me plagë të rënda.

Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, konflikti dyshohet të ketë nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje për parkimin e një automjeti.

I njëjti burim bën me dije se Belishaku, teksa ishte në krye të detyrës, është sulmuar fizikisht nga shoferi i drejtorit të tatimeve në Vlorë, Selman Luzi, djemtë e tij dhe disa miq të tyre, të cilët e kanë goditur me mjete të forta në kokë dhe trup.

Në një dokument zyrtar të siguruar nga redaksia jonë, i lëshuar nga Policia Gjyqësore e Vlorës, konfirmohet se shtetasi Ervis Belishaku ka qenë objekt i dhunës dhe është urdhëruar kryerja e një ekspertize mjeko-ligjore për të përcaktuar natyrën dhe shkallën e dëmtimeve të tij.

Ndërsa policia duket se ka vendosur të heshtë, punonjësi i "Illyrian Guard" ndodhet prej tre ditësh i shtruar në spitalin e Vlorës për shkak të plagëve të rënda që ka pësuar.

Në lidhje me ngjarjen vetëm një person është shoqëruar nga policia, pikërisht Selman Luzi, i cili u la i lirë pas disa orësh. Ndërkohë, katër agresorët e tjerë nuk janë ndaluar dhe vazhdojnë të mos mbajnë asnjë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Pavarësisht seriozitetit të ngjarjes, deri më tani nuk ka pasur një deklaratë publike nga Policia e Vlorës lidhur me rastin. Ky fakt ngre pikëpyetje mbi ecurinë e hetimeve dhe nëse do të merren masa ligjore ndaj personave të përfshirë.

Duke pasur parasysh rëndësinë e sigurisë publike dhe transparencës institucionale, JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Vlorës të reagojnë mbi këtë ngjarje dhe të informojnë qytetarët mbi veprimet e ndërmarra.

Dhuna nuk mund të tolerohet, dhe institucionet ligjzbatuese duhet të garantojnë drejtësi për viktimat e sulmeve të tilla. Shqiptarët kanë të drejtë të informohen dhe të shohin veprim konkret nga autoritetet për ndëshkimin e çdo akti dhune.

Në vijim do të sjellim informacione të tjera mbi këtë çështje, duke ndjekur me vëmendje çdo zhvillim të mëtejshëm.

Selman Luzi

Ervis Belishaku

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit