Ndërtuesit në panik? Interneti përmbytet nga lajme të sponsorizuara për “rritjen e çmimeve”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.03.2025, 19:38

Nëse keni lundruar në rrjetet sociale apo portalet e lajmeve këto ditë, me siguri ju ka rënë në sy një titull që përsëritet si refren: “Çmimet e apartamenteve do të rriten me 20%”. Artikuj të tillë, të publikuar në mënyrë masive dhe të sponsorizuar në Facebook e Instagram, përpiqen të bindin qytetarët se duhet të blejnë tani, sepse nesër do të jetë vonë.

Por, sapo i hap këto lajme, kupton se baza ekonomike mungon plotësisht. Nuk ka analiza financiare, nuk ka të dhëna mbi kërkesë-ofertën, nuk ka asnjë raport të bankave apo institucioneve të pavarura që mbështet një rritje të tillë. Në vend të argumenteve, kemi intervista me disa ndërtues dhe agjentë imobiliarë anonimë që, çuditërisht, konfirmojnë të gjithë njëzëri se çmimet do rriten. Pyetja që lind natyrshëm është: A po na paralajmërojnë apo po përpiqen të na shesin?

Një strategji e vjetër: të krijojmë panik për të rritur shitjet

Duket se kemi të bëjmë me një fushatë të organizuar nga ndërtuesit dhe agjencitë imobiliare, të cilët kanë nisur të ndiejnë rënien e kërkesës për apartamente. Me çmime që kanë arritur nivele të paimagjinueshme për të ardhurat mesatare të shqiptarëve, duket se tregu ka filluar të ftohet. Ndërtuesit e kuptojnë që nëse shumica e njerëzve presin edhe pak, flluska imobiliare mund të shpërthejë, duke sjellë një rënie drastike të çmimeve. Prandaj, po përpiqen të krijojnë panik artificial për të detyruar blerësit të hyjnë në treg tani, para se realiteti t’i kapë nga pas.

Në ekonominë e lirë, çmimet nuk rriten thjesht sepse “e thonë ndërtuesit” apo ndonjë agjent anonim imobiljar që pi cigare gjithë ditën te shkallët e agjencisë në pritje që ndonjë "qyqar" të vijë e të blejë. Rritja e çmimeve duhet të bazohet në faktorë realë si:

  • Kërkesa e lartë, e cila në këtë rast vihet në pikëpyetje, pasi shumica e qytetarëve nuk përballojnë dot këto çmime.
  • Kostoja e materialeve të ndërtimit, e cila pas krizës globale ka filluar të stabilizohet. Ndërkohë ndërtuesit në Shqipëri abuzojnë shumë me cilësinë e ndërtimit, duke shitur sapunin për djathë, pra kostot janë edhe më të ulëta.
  • Rritja e të ardhurave, por realiteti në Shqipëri tregon se rrogat kanë mbetur të ulëta krahasuar me rajonin dhe fuqia blerëse është shumë e kufizuar.

A po i afrohemi një flluske imobiliare?

Shqipëria nuk është e vetmja që po përballet me këtë fenomen. Në shumë vende të tjera, çmimet e pasurive të paluajtshme kanë arritur kulmin dhe tani po bien. Një situatë e tillë ka ndodhur edhe në Kinë, Kanada dhe disa vende të Europës, ku spekulimet e shumta kanë çuar në një krizë në tregun imobiliar. Nëse e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri, atëherë ndërtuesit kanë arsye për panik, sepse një rënie drastike e çmimeve do të ulte ndjeshëm fitimet e tyre.

Për këtë arsye, propaganda e sponsorizuar e “rritjes së çmimeve” mund të shihet si një përpjekje e fundit për të mbajtur tregun në këmbë. Në realitet, çmimet nuk mund të rriten pafundësisht, sidomos kur njerëzit nuk kanë para për të blerë. Dhe nëse blerësit refuzojnë të bien pre e kësaj skeme, atëherë shumë shpejt mund të shohim një ulje të ndjeshme të çmimeve në tregun imobiliar.

Pra, në vend që të merrni vendime të nxituara bazuar në lajme të sponsorizuara, përpiquni të analizoni vetë realitetin ekonomik dhe të prisni momentin e duhur për të blerë – jo momentin që dikush tjetër përpiqet t’ju imponojë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit