Janë publikuar mesazhet e fundit të Cameron Twiss, 28-vjeçarit australian që rezulton i zhdukur në Valbonë që prej 13 tetorit 2024. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga zhdukja e tij, fati i të riut mbetet i panjohur.
Në njërin prej mesazheve, Cameron shprehte frikën e tij duke shkruar: “Flisnin shqip. Mendova se do të vdisja”, teksa tregonte se po darkonte me pesë shqiptarë.
Megjithatë, më vonë ai u qetësua dhe në një mesazh tjetër sqaroi se kishte keqkuptuar situatën. “Tani e kuptova që po flisnin për apartamentet në New York City dhe nuk kishin ndër mend të më vrisnin mua”, shkruante ai.
Cameron: Kisha një darkë të çudishme me një familje me 5 shqiptarë, me një ushqim të mirë. Të gjithë flisnin shqip. Mund të flisnin anglisht, por folën në gjuhën e tyre. Teksa po haja darkë dëgjova një nga ata që thotë: “biznes si zakonisht”, çmimi nuk është i njëjtë, nuk janë çmimet normale, por mund të kompensohet me pak ajër që është i mirë”. Në këtë moment, mendova se do të vdisja.
Mesazhi i vëllait: Flet shqip ti? (Qesh)
Cameron: Tani e kuptova që po flisnin për apartamentet në New York City dhe nuk kishin ndër mend të më vrisnin mua.
Mesazhi i Cameron Twiss me familjarët e tij mban datën 12 tetor 2024, ora 22:49 minuta. Të nesërmen e 13 tetorit, ai largohet nga Valbona në orën 5 të mëngjesit së bashku me 50 persona të tjerë, të apasionuar pas hiking, por rrugës ndahet nga grupi dhe udhëton në drejtim të Thethit.