Skavatorët kanë vërshuar sot te godina e Komandës së Gardës së Republikës në daljen jugore të kryeqytetit, teksa zyrtarët qeveritarë njoftonin se kompleksi do të kthehet në një “atraksion” mbi historinë e uniformave shtetërore.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga nën-kryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, inspektuan punimet në godinën historike të Komandës së Gardës së Republikës, pranë Liqenit Artificial, që sipas tyre do të transformohet në qendrën “Trashëgimia për të gjithë – Garda”, ndërsa qytetarët vrasin mendjen nëse kjo është manovra e radhës për të gllabëruar prona e territore publike, që gradualisht t’i shndërrojë në biznese private e më pas t’u zhdukë gjurmët.
Zhvillimi vjen në një kohë kur bashkia e Tiranës vijon të 'kafshojë' gradualisht copa të pyllit të liqenit artificial duke i betonizuar me pallate, prandaj me të drejtë lindin dyshime për praktika të tilla abuzive edhe në këtë rast.
Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se objekti do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm dhe do të ofrojë informacion për shtetin shqiptar ndër vite, për zhvillimin e tij në fushën e restaurimit, trashëgimisë kulturore, edukimit dhe shkencave humane.
“Ky mund të quhet Muzeu ‘i veshjeve të shtetit’, dmth muzeu i të gjithë garderobës së shtetit, i të gjithë xhevahireve, i kopsave. Do të jetë një muze, i cili besoj unë do të ketë edhe një vlerë të madhe edhe për fëmijët dhe nxënësit, për studentët,”, tha mes të tjerash Rama.
Rama inspektoi punimet në godinën historike të Komandës së Gardës së Republikës, pranë Liqenit Artificial, që sipas tij do të transformohet në qendrën “Trashëgimia për të gjithë – Garda”