Vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka në Guci të Re mbetet mister, pasi ende nuk është identifikuar autori ose motivi i krimit.
I riu, i cili ndodhej i vetëm në shtëpi prej disa ditësh, pasi familja e tij kishte shkuar në Dukagjin, u gjet i ekzekutuar me gjashtë plumba në oborrin e shtëpisë. Askush nuk ka dëgjuar të shtëna, duke ngritur dyshime se është përdorur një armë me silenciator.
Policia ka marrë në pyetje familjarë, të afërm, komshinjtë të familjes Preka, por askush nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur, ndërkohë që sipas të dhënave, asnjë i pyetur nuk ka pranuar që ka dëgjuar krisma, çka ka lënë të kuptohet se vrasja është bërë e mirëmenduar dhe e mirorganizuar.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që autori të ketë qenë një person i afërt, sepse ka hyrë brenda rrethimit i pashqetësuar se mund ta shihte ndokush. Gjithashtu, po verifikohen konfliktet e mundshme të viktimës, sidomos në Dukagjin, ku thuhet se ai shkonte shpesh pasi ruante bagëtitë e familjes. Një zonë e njohur për problematika të ndryshme, përfshirë kultivimin e kanabisit.
Ende nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me sekuestrimin e telefonit të viktimës për të hulumtuar mbi bisedat dhe takimet e ditëve të fundit, ndërkohë që nga dëshmitë që kanë marrë nga familja e viktimës nuk është bërë e mundur të kuptohet asnjë dyshim mbi persona apo shkaqe.
Në mungesë të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të qarta, policia po kërkon gjurmë fizike në vendin e ngjarjes që mund të çojnë në identifikimin e autorit.