Procesi i privatizimit të bregdetit shqiptar po vazhdon me ritme të shpejta, duke kaluar nga një gji i famshëm në tjetrin. Kësaj radhe, është Plazhi i Llamanit në Himarë që po vihet nën kontroll privat, me miratimin e një ndërtimi luksoz në rërën e tij.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, u miratuan mbi 60 vendime, mes të cilave, me numër 26, u dha leja për ndërtimin e një hoteli të ri me emrin “The Concave”. Ky objekt do të jetë një hotel me 63 dhoma, tre dhe katër kate, i projektuar nga studioja portugeze OODA Architecture dhe do të ndërtohet nga kompania Bega-07, në pronësi të biznesmenit Arben Muçobega.
![]()
Muçobega është një nga përfituesit më të mëdhenj të lejeve të ndërtimit në Shqipëri, veçanërisht në Jug dhe në Tiranë, dhe ka lidhje të ngushta me qeverinë socialiste. Projekti i hotelit, sipas arkitektëve, është konceptuar për t’u “përshtatur” me peizazhin e Llamanit, por nga fotot dhe planet e publikuara, është e qartë se një strukturë masive betoni do të ngrihet mbi rërën e plazhit, duke zhdukur një pjesë të natyrës së paprekur.
![]()
Kjo nuk është hera e parë që tentohet ndërtimi i një resorti në Llaman. Në maj të vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike refuzoi një projekt të ngjashëm me vlerë 63 milionë euro, për shkak të paqartësisë së pronësisë. Atëherë, zona nuk kishte një regjistrim fillestar në Kadastër, duke penguar procedurat e mëtejshme ligjore.
![]()
Por sot, të njëjtët emra dhe të njëjtat kompani janë sërish në lojë. Bega-07 e Arben Muçobegës dhe Capital B, e zotëruar nga Redjan Basha, janë kompanitë që aplikuan për statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar. Capital B ndan të njëjtën adresë me Abkons, një kompani ku ortak dhe administrator është Redjan Basha, ndërsa ndërtuesi Besnik Leskaj zotëron shumicën e aksioneve.
Si është zgjidhur papritur çështja e pronësisë që një vit më parë ishte pengesë për investimin? Si u regjistrua prona dhe si kaloi në duart e kompanive ndërtuese? Këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje, ndërsa bregdeti shqiptar vazhdon të ndahet mes oligarkëve dhe betonit.
![]()