Fermerët protestues në Butrint hedhin kova me midhje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 01.03.2025, 15:48

Kultivuesit e midhjeve kanë protestuar sot në bashkinë e Sarandës, duke hedhur simbolikisht një kovë me midhje në sallën e mbledhjes së këshillit bashkiak, për të tërhequr vëmendjen mbi krizën që po kalon sektori i tyre.

Aktivistët vendas thanë se pavarësisht garancive për cilësinë e produktit, fermerët janë të shqetësuar për gjendjen e infrastrukturës që po gjymton prodhimin e midhjeve dhe ndoshta prishjen e identitetit të saj.

Ashtu si sektorë të tjerë të bujqësisë e blegtorisë shqiptare, edhe industria e midhjes në liqenin e Butrintit dhe zonën e Ksamilit po përballet me sfida prej neglizhencës së autoriteteve dhe shpeshherë politikave penguese të ngritura prej tyre.

Fermerët lokalë thonë se përkeqësimi i cilësisë së ujit prej bllokimit të sistemeve pastruese kanë dëmtuar gjallesat detare.

Ata shtojnë se portat e Bistricës që furnizojnë liqenin me ujë të ëmbël janë të bllokuara, duke reduktuar oksigjen e për pasojë në cilësinë dhe rritjen e midhjes.

“Parametrat jetësorë të liqenit të Butrintit vijojnë të përkeqësohen dhe sivjet rrezikuam dhe humbjen e farës së mbretëreshës sonë, midhjes së Butrintit. Në analizat që bëmë në mënyrë të pavarur për liqenin e Butrintit vumë re që ka mungesë oksigjeni në ujë që do të thotë se Bistrica nuk vjen mjaftueshëm në liqen dhe kjo ndodh edhe tani që jemi në periudhën e dimrit e imagjinoni çfarë do të ndodhë në verë kur të ngrihen temperaturat e ujit. Prandaj kemi ardhur këtu të bëjmë thirrje e ta ftojmë institucionin e bashkisë dhe këshillit bashkiak që të bëhet pjesë në problematikë”, tha aktivisti.

“Unë mendoj që të pastrohen kanalet, të qarkullojë uji siç ka qarkulluar më parë se kështu siç po vijon do zhduket fare. Vivari dhe Bistrica janë dy burimet kryesore për liqenin”, u shpreh një fermer.

Një tjetër shqetësim i fermerëve është pezullimi absurd prej tre vitesh i disa kontratave të kultivuesve për impiantet e midhjeve.

Kjo situatë ka krijuar pasiguri për të ardhmen e sektorit dhe ka vështirësuar investimet në mirëmbajtjen e fermave të midhjeve.

“Nuk na i kanë lidhur kontratat. Duhet ta bëjë ministria se jemi tre vjet pa kontrata. Ato që kishim kanë mbaruar e tani nuk na njeh njeri fare pa kontrata. Do i lidhim sot e doni lidhim nesër vetëm me shpresë kemi punuar. Si familje kemi 3 impjante dhe kemi 30 vjet atje që kur na i ka lidhur ministria e Lefter Xhuvelit. I lidhëm atëherë 10 vjeçare. Pastaj na i lidhën edhe një herë 10 vjeçare e pastaj na mbaruan. Tani presim”, tha një fermer.

Liqeni i Butrintit, me një sipërfaqe prej rreth 1,600 hektarësh, numëron rreth 80 impiante midhjesh, nga të cilat rreth 50 janë në funksion. Prodhimi vjetor i midhjes së Butrintit arrin në rreth 17,000 kiuntalë, 70% e të cilës shitet në tregun vendas, ndërsa pjesa tjetër mbetet në ujë për shkak të mungesës së tregjeve.

Për më shumë se 30 vjet, midhja e Butrintit nuk ka mundur të eksportohet në BE për shkak të pretendimeve të pajustifikuara mbi kriteret e mbarështimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit