Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka shpallur fituesin e tenderit për rikonstruksionin e linjës 110 kV Fier-Marinëz, me një kontratë në vlerën e 266 milionë lekëve të reja pa TVSH (afërsisht 3.2 milionë euro me TVSH).
Sipas të dhënave të tenderit me numër reference REF-34801-12-27-2024, fondi limit i përcaktuar ishte 276.6 milionë lekë të reja pa TVSH (rreth 3.3 milionë euro me TVSH). Oferta e shpallur fituese nga kompania "4 A-M", në pronësi të Ardit Metaliajt, është 266 milionë lekë të reja pa TVSH, që përbën 96.2% të fondit limit.
Një detaj që ngre dyshime të forta mbi transparencën e procedurës është fakti se në këtë tender ka marrë pjesë vetëm një kompani, "4 A-M", duke eliminuar çdo mundësi për konkurrencë të lirë. Praktikisht, ky është një tender me një operator të vetëm, një situatë që shpesh shihet si tregues i paracaktimit të fituesit.
Kompania "4 A-M" është një emër i njohur në tenderët publikë, por raportime të shumta mediatike e cilësojnë si një fasadë pas së cilës qëndron oligarku Bashkim Ulaj. Ulaj është një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike dhe ka lidhje të forta me pushtetin, duke siguruar vazhdimisht kontrata të majme në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.
Emri i Ardit Metaliajt përmendet shpesh si një nga personat që vepron në emër të Ulajt, duke siguruar tenderë me fonde të larta përmes kompanive që formalisht nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me oligarkun. Në këtë kontekst, fitorja e një tenderi të rëndësishëm, pa asnjë konkurrencë, vetëm forcon dyshimet se kemi të bëjmë me një skemë të paracaktuar.
Fakti që "4 A-M" ishte i vetmi pjesëmarrës, që oferta e tij ishte gati sa fondi limit (96.2%), dhe që kompania dyshohet se është e lidhur me një oligark të fuqishëm, ngre pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e procedurës së tenderit.
Ky rast është një tjetër shembull i dyshimeve për favorizime klienteliste në ndarjen e fondeve publike, ku tenderët zhvillohen vetëm formalisht, ndërsa fituesi duket se është përcaktuar paraprakisht.