Një tjetër mesazh shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke konfirmuar se faqet anonime në Instagram që publikojnë foto denigruese të vajzave minorene në Fier po vazhdojnë aktivitetin e tyre, pavarësisht denoncimeve dhe alarmit të ngritur publikisht.
Një adoleshente nga ky qytet ka shkruar me ankth dhe shqetësim se postimet nuk janë ndalur dhe se shumë të rinj jetojnë në frikë nga mundësia që imazhet e tyre të publikohen në këto faqe.
Mesazhi i vajzës që mbërriti pak më parë në redaksinë tonë:
"Përshëndetje! Jam një vajzë nga Fieri dhe doja t’ju thoja që storit te ajo faqja në IG vazhdojnë të hidhen. Ju lutem reagoni sado pak se ai djali nuk po ndalon së postuari. Shumë të rinj janë të tensionuar dhe në ankth lidhur me këtë faqe. Nuk po flemë dot gjumë rehat nga meraku se mos na hedhin. Faleminderit dhe natën e mirë!"
Situata është tejet alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Policia e Shtetit! Vajza të mitura po përballen me një terror psikologjik të përditshëm, ndërsa autoritetet nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim konkret për të ndaluar këtë skandal të rëndë.
Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga Policia e Shtetit!
JOQ Albania i bën thirrje drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda të veprojë tani! Nuk ka më vend për vonesa apo justifikime. Faqet po vazhdojnë aktivitetin e tyre të turpshëm dhe po përhapin panik te vajzat minorene në Fier. Çdo ditë që kalon rrit rrezikun për pasojat psikologjike dhe sociale që mund të shkaktojë ky fenomen.
A do të ndërhyni vetëm kur të ndodhë tragjedia?
Tashmë ka raste të dokumentuara ku vajza të reja kanë përjetuar trauma të thella dhe madje janë shtyrë drejt vetëvrasjes për shkak të bullizmit dhe ekspozimit publik pa dëshirë. Nuk duhet të pritet që një tjetër tragjedi të ndodhë!
JOQ Albania i bën thirrje të gjithë ndjekësve të ndajnë këtë informacion dhe të ndihmojnë në denoncimin dhe raportimin e këtyre faqeve, në mënyrë që të ndalet një herë e përgjithmonë ky abuzim i tmerrshëm ndaj vajzave minorene.
POLICIA E SHTETIT, VEPRONI PËRPARA SE TË JETË SHUMË VONË!