Ky është ish-fshesaxhiu që blinte miliona lekë piktura nga galeria e Ajola Xoxës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.02.2025, 21:24

Sokol Kryeziu, i cili rezulton të ketë përfituar 20 tendera publikë nga institucione të Bashkisë së Tiranës, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për t'u njohur me masën e sigurisë.

Kryeziu është pronar i kompanisë së ndërtimit Gerard-A, e cila ka marrë fonde nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT), Drejtoria e Pastrim-Gjelbërimit dhe Drejtoria Nr.2 e punëtorëve të qytetit. Ai ka fituar procedura tenderimi nga viti 2018 deri në 2023, periudhë gjatë së cilës kompania e tij ka marrë kontrata publike në vlera të larta.

Historia e Kryeziut është e pazakontë. Në vitin 2017-2018, ai punonte si fshesar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim-Gjelbërimit dhe më pas si punëtor ngarkim-shkarkimi në shoqërinë Alb TECH PLAST. Më vonë, ai u bë drejtor i kompanisë Green Line, ndërsa në vitin 2018 bleu kompaninë Gerard-A për 33.4 milionë lekë.

Nga 2018 deri në 2023, Gerard-A ka fituar 20 tendera nga institucionet e bashkisë, duke siguruar kontrata me UKT, Drejtorinë e Pastrim-Gjelbërimit dhe Drejtorinë Nr.2 të punëtorëve të qytetit.

Lidhja me Ajola Xoxën dhe Erion Veliajn

Gjatë periudhës dhjetor 2023 – janar 2024, Sokol Kryeziu ka blerë piktura në vlerën e 5 milionë lekëve në Galerinë NAN, e cila kontrollohet nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj.

SPAK po heton financimet e Bashkisë së Tiranës për evente të ndryshme, fonde të cilat kanë përfunduar tek OJQ dhe kompani në pronësi të Ajola Xoxës. Bëhet fjalë për Partners Law, Arts Lab, Ava Studio, Byl-A, Harabel, Nan Gallery, Eventus dhe Muza, të cilat kanë përfituar një total prej rreth 110 milionë lekësh nga fondet publike.

Hetimet kanë zbuluar se Ajola Xoxa ka lëvizur para brenda rrethit të ngushtë familjar të Erion Veliajt. Një rast konkret është kompania Gogël, në pronësi të Arbër Veliajt, kunati i kryebashkiakut, ku Xoxa ka faturuar 8 mijë euro për shërbime ligjore.

Një tjetër provë e rëndësishme është një bisedë mes Adela Kondakçiut, financiere e Ajola Xoxës, dhe vetë Xoxës. Në këtë komunikim, Kondakçiu i kujton asaj se "Harabel nuk duhet të dalë me fitim", pasi kjo do të ishte shkelje e ligjit. Për këtë arsye, fondet duhet të shpërndahen tek persona të tjerë, përfshirë familjarë dhe kompani të lidhura.

Aktualisht, SPAK po analizon skemat financiare dhe lëvizjet e fondeve të dyshimta mes bashkisë dhe këtyre shoqërive. Ndërkohë, pritet që hetimet të zgjerojnë rrethin e të përfshirëve, duke sjellë të tjera arrestime dhe ndëshkime ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit