Nga nesër, në Aeroportin e Tiranës mund të udhëtoni me biletë elektronike

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.02.2025, 19:46

Jo vetëm shifra rekord dhe rritje mbresëlënëse e numrit të pasagjerëve, por edhe investimeve konkrete që lehtësojnë jetën e qytetarëve. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka bërë realitet më në fund atë që shumë pasagjerë pyesnin pse nuk bëhet edhe në Shqipëri, kur është e zbatueshme në shumë aeroporte ndërkombëtare, kartën elektronike të imbarkimit, ose biletën elektronike.

Duke nisur nga kjo fundjavë, pra nga dita e nesërme, më 1 mars, pasagjerët që kanë një kartë imbarkimi elektronike në telefonin e tyre mund të udhëtojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt vendeve Schengen, pa pasur nevojë për ta printuar atë.

TIA informon përmes rrjeteve sociale se ky lehtësim i bën udhëtimet më të lehta, më të shpejta dhe sigurisht më komode për pasagjerët.

Nëse linja ajrore e ofron këtë opsion, sigurohuni që të keni kartën elektronike të imbarkimit në telefon. Skanojeni atë në kontrollin e sigurisë dhe në portën e imbarkimit. Udhëtoni më shpejt, pa pasur nevojë për letra shtesë,” informon TIA.

Në këtë mënyrë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të përmirësojë shërbimet e tij për të lehtësuar udhëtimet për pasagjerët që udhëtojnë përmes tij. Vitin e kaluar, një shifër rekord prej 10.7 milionë pasagjerësh fluturuan përmes TIA, ndërsa edhe ky vit ka nisur me shifra premtuese, ku janari shënoi një rritje prej 12 të numrit të pasagjerëve, krahasuar me janarin e vitit 2024.

Në katër vitet e fundit, Grupi Kastrati investoi rreth 100 milionë euro duke sjellë përmirësime të dukshme në të gjithë infrastrukturën e aeroportit. Tashmë, drejtuesit e aeroportit premtojnë se këto investime do të vazhdojnë, me planet për një terminal të ri 70,000 m², hapësira shtesë parkimi nëntokësore dhe një fasadë moderne që i përshtatet identitetit dhe kohës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit