Rreth 350 mësues të ciklit të ulët dhe parashkollor në Korçë janë prekur nga një ulje e pagës prej 10 mijë lekësh të reja në muaj. Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Korçë, Leonard Trebicka, ka deklaruar se pavarësisht dy takimeve me federatën dhe Ministrinë e Arsimit, ende nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për të adresuar këtë problem.
Ndërkohë që SPAK ende nuk ka gjetur kohë të merret me Ministren e Arsimit, ajo ka vendosur të merret me mësuesit, duke u ulur rrogat me 100 mijë lekë të vjetra. Një mënyrë "e zgjuar" për të menaxhuar arsimin: në vend që të investojë në të, ministria vendos t’i penalizojë ata që punojnë për të.
Përballë kësaj situate, Trebicka ka vendosur si afat për zgjidhjen e çështjes datën 31 mars. Nëse nuk do të ketë një përgjigje nga autoritetet, sindikata do t’u bëjë thirrje mësuesve për grevë. Kjo problematikë prek rreth 6500 mësues në të gjithë vendin, kryesisht ata që japin mësim në klasat e para deri në të pestën.