Institucionet shmangin takimin me banorët e Shushicës që kundërshtojnë Ujësjellësin e Himarës.

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 28.02.2025, 17:50

Institucionet përgjegjëse për projektin e Ujësjellësit të Himarës shmangën takimin e organizuar nga banorët e luginës së Shushicës, të cilët kundërshtojnë devijimin e ujit nga burimi i Lëpushës.

Nga rreth gjashtë autoritete që ishin ftuar, në takimin që u zhvillua të premten në Tërbaç të Vlorës, morën pjesë vetëm përfaqësues nga Bashkia e Selenicës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilët nuk dhanë komente për planet apo vijimin e punimeve.

Banorët dhe përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan transparencë dhe dialog, duke theksuar ndikimin negativ të projektit mbi mjedisin dhe jetesën e tyre.

Raporti i fundit i IUCN konfirmon se projekti dëmton biodiversitetin e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe sugjeron përdorimin e burimeve alternative. Ekspertët mjedisorë theksuan se shfrytëzimi i ujit të Shushicës është në kundërshtim me statusin e mbrojtur të Vjosës dhe se ndikimi social nuk është marrë parasysh.

“Raporti i IUCN thekson se shmangia e plotë të projektit dhe përdorimin e burimeve alternative të ujit është zgjidhja e duhur për të siguruar mbrojtjen e biodiversitetit dhe integritetit të Parkut të Lumit të Egër të Vjosa,” tha Olsi Nika, nga organizata EcoAlbania.

Ndërkohë, kompania "Strabag" ka rinisur punimet pavarësisht kundërshtive, ndërsa projekti vijon të jetë objekt gjyqësor, me banorët që kanë ngritur padi ndaj institucioneve përgjegjëse.

Përballë indiferencës institucionale, banorët janë të vendosur të vazhdojnë kundërshtimin me protesta dhe mjete ligjore për të ndaluar devijimin e ujit.

“Do të vijojmë me protesta për të ndaluar marrjen e ujit të Lëpushës dhe burimeve të Shushicës, pasi pasojat janë të pakthyeshme, si për mjedisin, ashtu edhe për jetën dhe traditat e zonës,” tha Leonard Malaj, banor i fshatit Brataj.

Përmes ndërtimit të një ujësjellësi në Himarë, qeveria synon të devijojë ujin nga burimi i Lëpushës, që ushqen Shushicën, për ta çuar drejt bregdetit me qëllim përmbushjen e kërkesave të turizmit masiv.

Rreth 17 kilometra tubacione, nga Kuçi në Himarë, janë thuajse gati, por diga e devijimit, infrastruktura kryesore dhe më problematike e projektit, ende nuk është ndërtuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit