Pullat fiskale në mars? Ministria e Financave nuk jep datë të saktë dhe nuk sqaron kush do të mbulojë humbjet e biznesit

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 28.02.2025, 14:05

Bizneset që janë subjekte akcize po përballen me një situatë të rëndë në dogana për shkak të mungesës së pullave fiskale. Kjo mungesë ka bllokuar futjen e mallrave në treg dhe ka vënë në rrezik kontratat me furnitorët e huaj, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike. Ata kërkojnë një zgjidhje urgjente për të shmangur dëme të mëtejshme në të ardhura.

Pas dy muajsh heshtjeje, Ministria e Financave ka reaguar, duke deklaruar se pullat fiskale do të jenë gati në mars 2025, kur shoqëria e re, nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë (SHLV), të nisë aktivitetin. Megjithatë, ministria nuk dha një datë të saktë dhe nuk sqaroi se si do të mbulohen kostot dhe humbjet e shkaktuara gjatë periudhës së bllokimit.

Pse lindi mungesa e pullave fiskale?

Në maj 2024, qeveria vendosi të mos rinovojë kontratën me kompaninë koncesionare SICPA, duke e rikthyer prodhimin e pullave në pronësi shtetërore. Në shkurt 2025, vendimi u ndryshua, duke lejuar që SHLV të prodhojë pullat vetë ose përmes një shoqërie të krijuar prej saj. Ndërkohë, periudha tranzitore e përcaktuar me ligj lejon përdorimin e pullave ekzistuese deri më 31 mars 2025.

Ministria e Financave thekson se sistemi i ri do të sjellë rritje të sigurisë dhe efikasitetit në menaxhimin e pullave fiskale, por bizneset mbeten ende të pasigurta për zgjidhjen e menjëhershme të krizës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit