“Reuters”: Bizneset e Kosovës në rrezik prej ngrirjes së USAID-it nga Trumpi

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 28.02.2025, 16:34

Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, ka publikuar një artikull në lidhje me rrezikun që u kanoset disa bizneseve kosovare nga ngrirja e fondeve të agjencisë amerikane për ndihma të jashtme, USAID, me urdhër të presidentit amerikan, Donald Trump.

Kenan Gashi i pret gjymtyrët e kukullave të vjetra në dyqanin e tij në Kosovë dhe i hedh në makina të dhuruara si donacion nga qeveria amerikane. Këto makina e copëtojnë dhe e pastrojnë plastikën që ajo të shitet për ripërdorim.

Biznesi riciklues i Gashit në Fushë-Kosovë ishte transformuar, kur i kishte pranuar pajisjet nga USAID-i dy vjet më parë, duke e nxitur atë që të bënte plane për të punësuar më shumë punëtorë.

Sidoqoftë, tani Gashi është i brengosur. Më shumë se një e treta e pajisjeve të premtuara me vlerë të 130 mijë dollarëve ende nuk ka arritur. Tani, administrata e presidentit Donald Trump i ka ngrirë fondet e USAID-it dhe është munduar që ta zvogëlojë në masë drastike këtë agjenci dhe të gjitha ndihmat e jashtme të ShBA-së sipas agjendës së tij, “Amerika së pari”.

Javën e kaluar, në një video-deklaratë para shtypit, Trumpi e përmendi donacionin për riciklim në Kosovë si shembull të llojit të shpenzimeve qeveritare të cilat ai dëshiron t’i zvogëlojë.

“Ne po presim që makinat e tjera të arrijnë dhe planifikuam që ta rrisnim fuqinë punëtore nga pesë në 20, por gjithçka është e pasigurt tani” – tha Gashi, përderisa hedh pjesë plastike në një makinë për bluarje të dhuruar nga USAID-i dhe që mban një mbishkrim “riciklimi ka peshë”.

ShBA-ja ka qenë njëra nga përkrahëset më të mëdha të Kosovës që nga ndarja e shtetit të vogël ballkanik nga Serbia, duke i dhuruar ndihma me vlerë të 1,1 miliard dollarëve nga viti 2001, sipas shifrave të qeverisë amerikane. Organizata me seli në Prishtinë, GAP, tha se USAID-i tani për tani është duke menaxhuar 17 projekte me vlerë të më shumë se 156 milionë dollarëve, por është e paqartë se sa prej kësaj shume në të vërtetë është disbursuar.

Kosova është njëra nga shtetet më të varfra në Evropë dhe mbetet në nevojë të skajshme për ndihma, thonë politikanë e banorë.

Ajo është e dëmtuar nga tensionet etnike mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në veri. Agjencia “Reuters” zbuloi se më shumë se dhjetë projekte ndihmash me vlerë të të paktën 150 milionë eurove janë anuluar nga Bashkimi Evropian si rezultat i rolit të autoriteteve të Kosovës në këtë tensionim.

“Njerëzit nuk do të vdesin për shkak të fondeve të ngrira të USAID-it” – tha Burim Ejupi nga organizata “Indep” në Prishtinë. “Megjithatë... secili dollar ose euro e pranuar është e rëndësishme për një shtet që ka nevojë për to në mënyrë dëshpëruese” – shtoi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit