Pasi Vilma Nushi shkoi në SPAK, djemtë e saj fitojnë tenderin 1.4 milionë euro nga OSHEE

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.02.2025, 21:35

Duket se disa njerëz kanë një fat të jashtëzakonshëm! Vetëm një ditë pasi biznesmenia Vilma Nushi u thirr nga SPAK për çështje të pazbardhura, djemtë e saj dhe të afërmit e ngushtë kanë fituar një tender të majmë prej 1.4 milionë eurosh nga OSHEE, institucioni nën varësinë e ministres Belinda Balluku.

Tenderi në fjalë ka si objekt “Shërbimin e printimit për nevojat e OSHEE Group sh.a për një periudhë 3-vjeçare” dhe është shpallur përmes një procedure të hapur me vlerë mbi kufirin e lartë monetar. Me një fond limit prej 116.7 milionë lekësh (pa TVSH), fitues u shpall konsorciumi i kompanive INTERLOGISTIC, BNT Electronics dhe Infosoft Office, një grup biznesesh që duket se i lidh më shumë se thjesht interesi për printime.

Kompania INTERLOGISTIC është në pronësi të Edmond Hidos (kunati i Vilma Nushit), Endrit Hidos (nip i Vilma Nushit) dhe Besnik & Erjon Nushit (djemtë e Vilma Nushit). Për të mos e lënë vetëm, në këtë “garë të ashpër” janë bashkuar edhe BNT Electronics në pronësi të Leonard Terpos, Teuta Bojdanit dhe Kristi Bojdanit, si dhe Infosoft Office, e cila është në pronësi të Frederik Prodanit dhe Gëzim Dobit.

Ky tender është një shembull i shkëlqyer i konkurrencës... mungesës së saj, më saktë! Në procedurën e hapur kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, duke treguar qartë se nuk ka pasur konkurrencë të mirëfilltë. Për më tepër, kompania fituese ka dhënë ofertën më të lartë, duke kërkuar 115.5 milionë lekë pa TVSH, vetëm 1.2 milionë lekë më pak se fondi limit, ose 99% e vlerës së parashikuar. Si për ironi, oferta tjetër ishte gati 500 mijë euro më e ulët, por OSHEE, me një zgjuarsi të pashoqe, vendosi t’i japë paratë atyre që kërkuan më shumë!

Fakti që vetëm një ditë më parë Vilma Nushi u thirr në SPAK, ndërsa sot familjarët e saj shpallen fitues të një tenderi miliona eurosh nga një institucion në varësi të Belinda Ballukut, është padyshim një koincidencë që e lë Sherlock Holmes-in pa fjalë!

Nëse dikush kishte dyshime mbi ndikimin e emrave të mëdhenj në tenderat shtetërorë, ky rast i jep një përgjigje të qartë: kur një derë mbyllet te SPAK, një tjetër hapet te OSHEE!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit