Vrasja e vajzës palestineze në Tiranë, autori është arratisur nga Shqipëria

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.02.2025, 18:05

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Tiranë, ku një vajzë 24-vjeçare palestineze është gjetur e pajetë në një apartament me qira në rrugën "Gjon Muzaka". Viktima, e identifikuar si R. A., dyshohet të ketë humbur jetën për shkak të plagëve të shumta të shkaktuara nga një mjet prerës. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, por është zbuluar vetëm tani, falë hetimeve të shpejta nga policia.

Hetuesit kanë identifikuar autorin e dyshuar të krimit, 49-vjeçarin F. A., i cili ka qenë bashkëshorti i viktimës dhe gjithashtu palestinez. Ai ka shpërthyer menjëherë pas vrasjes dhe është larguar nga Shqipëria, duke shmangur arrestimin. Policia ka shpallur në kërkim autorin dhe po punon për të zbardhur saktësisht kohën e ngjarjes, përmes ekspertizave mjekoligjore dhe analizave të provave të sekuestruara.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën ‘Gjon Muzaka’.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.

Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën ‘Gjon Muzaka’. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.

Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.

Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit