Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis paralajmëronte sot kundër dhunës në grevat e protestat e të premtes, kur bëhen dy vjet nga tragjedia e pashpjeguar hekurudhore pranë Selanikut ku u vranë 57 njerëz, shumica e të cilëve studentë.
Demonstrata masive janë planifikuar në shumë qytete të Greqisë kundër qeverisë, në përvjetorin e katastrofës më të rëndë hekurudhore të vendit.
Transporti ujor, detar e ajror do të ndërpritet për 24 orë, në një thirrje për drejtësi ndaj viktimave të përplasjes kokë më kokë të dy trenave, njëri mallrash e tjetri pasagjerësh, mesnatën e 28 shkurtit 2023.
Dy vjet pas tragjedisë ende nuk dihen shkaqet, teksa dhjetra mijëra grekë protestuan muajin e kaluar duke kërkuar identifikimin e dënimin e zyrtarëve përgjegjës.
Mitsotakis paralajmëronte sot se demonstratat do të këqyren nga afër prej policisë për të identifikuar tentativa tensionimi nga grupe të paidentifikuara, që sipas tij “shfrytëzojnë situatën emocionale për të krijuar destabilizim”.