Franca i bashkohet SHBA duke kërkuar akses te mineralet e Ukrainës

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 27.02.2025, 13:34

Ministri francez i mbrojtjes Sebastien Lecornu tha se diskutimet janë ‘në fazën paraprake’.

Franca po kërkon gjithashtu akses në depozitat e mineraleve kritike të Ukrainës së shkatërruar nga lufta, teksa kanë nisur negocjatat mes zyrtarëve.

Volodymir Zelensky pritet të nënshkruajë nesër marrëveshjen e mineraleve me SHBA, pas njoftimit të dhënë dje nga presidenti Donald Trump.

Tashmë edhe Franca ka nisur diskutimet për të njëjtin subjekt, duke tentuar që ashtu si SHBA të diversifikojë furnizimet me mineralet vitale.

Megjithëse lufta ende nuk është mbyllur dhe mijëra ushtarë e civilë të Ukrainës kanë humbur jetën në konfliktin brutal, zyrtarët kanë nisur negocjatat e biznesit që pritet të kompensojnë ndihmën në armatime që shtetet perëndimore kanë dhënë.

Ministri francez Sebastien Lecornu nuk specifikoi mineralet që Franca kërkon të nxjerrë në Ukrainë, por besohet se ato janë litiumi i baterive apo uraniumi që përdoret në teknologjinë bërthamore, pajisjet mjekësore e armatimet.

Lecornu tha: “Ne po diskutojmë mbi çështjen dhe nevojat minerare të Francës. Industritë e mbrojtjes do të kenë nevojë për akses në një sërë lëndësh të para në vitet në vijim.”

Ai shtoi se Franca mund të blejë mineralet nga Ukraina dhe se “nuk po kërkon aksesin si kompensim për miliarda euro ndihma ushtarake të dhëna gjatë konfliktit me Rusinë.

“Ne nuk kërkojmë shpagim, por sektori ynë i mbrojtjes ka nevojë për disa materiale të para për sistemet tona të armatimeve ... për 30 apo 40 vitet në vijim”, tha ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit