Një shtetas shqiptar, 40-vjeçari Elis Alijaj, është ekzekutuar me breshëri plumbash në një lagje të qetë të zonës Ma Campagne, në Francë. Ngjarja e rëndë ndodhi kur viktima ndodhej në furgonin e tij, ku një person i armatosur hapi zjarr pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi. Ai ishte inxhinier hidraulik dhe ishte rrugës për në punë kur ndodhi krimi.
Dëshmitarët raportojnë se menjëherë pas krimit, një automjet u largua me shpejtësi nga vendngjarja. Më vonë, ky automjet u gjet i djegur në një pyll në Jauldes, brenda të cilit autoritetet zbuluan një pistoletë-mitraloz.
Nga hetimet paraprake, rezulton se Alijaj u qëllua me disa plumba përmes xhamit të shoferit, duke marrë tre goditje fatale—një në këmbë dhe dy në zonën e kraharorit. Viktima humbi jetën në vend, ndërsa policia franceze ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje të tipit mafioz.