2024, ulet ndjeshëm numri i të punësuarve në vend

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 27.02.2025, 12:39

Numri i të punësuarve në vend ka shënuar një rënie prej 13.1% gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2026-2028.

Ky raport vjen në një kohë kur INSTAT ende nuk ka publikuar të dhëna zyrtare për treguesit e punësimit në 2024, pasi të dhënat e Censit të vitit 2023 po integrohen në Anketën e Forcës së Punës.

Sipas analizës së Ministrisë së Financave, ulja e numrit të të punësuarve lidhet me zhvillimet në ekonominë reale. Mbyllja e disa bizneseve në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka ndikuar ndjeshëm, kryesisht si pasojë e rënies së vlerës së euros dhe uljes së kërkesës nga tregjet e huaja.

Pritshmëritë për punësimin në periudhën afatmesme

Ministria e Financave parashikon një ecuri të dobët të punësimit edhe në vitet në vijim. Sipas Kuadrit Makroekonomik, punësimi pritet të rritet me një mesatare minimale prej vetëm 0.1% në vit gjatë periudhës 2026-2028.

Rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë faktori kryesor që do të ndihmojë në zgjerimin e ofertës së punës, megjithatë, trendet negative demografike – të vërejtura prej disa vitesh – pritet të vijojnë të ushtrojnë presion në tregun e punës.

Nga ana tjetër, kërkesa për punë do të pasqyrojë zhvillimet afatmesme të sektorëve kryesorë të ekonomisë, me një fokus të veçantë te turizmi dhe ndërtimi. Sektorët e shërbimeve pritet të kontribuojnë më shumë në rritjen e punësimit krahasuar me degët e tjera të ekonomisë.

Në periudhën afatmesme, punësimi pritet të qëndrojë në nivele të moderuara, duke shmangur rënien negative, ndonëse rritja do të mbetet e kufizuar për shkak të kombinimit të dy faktorëve: një shkallë më të lartë të pjesëmarrjes në tregun e punës dhe presionit të uljes së popullsisë në moshë pune.

Produktiviteti i punës pritet të përmirësohet gjatë viteve 2026-2028 dhe do të jetë një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike në afatin e mesëm. Qeveria synon të orientojë punësimin drejt sektorëve me produktivitet më të lartë, duke reflektuar përmirësimet teknologjike në ekonomi.

Problemet e tregut të punës

Pavarësisht pritshmërive, tregu i punës në vend mbetet problematik. Ai karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti dhe është i përqendruar në sektorë me paga të ulëta. Papunësia tek të rinjtë mbetet shqetësuese, ndërsa pjesëmarrja e grave në forcat e punës është ende në nivele të ulëta.

Një tjetër sfidë madhore është hendeku mes arsimit dhe kërkesave të tregut të punës. Çdo vit, mijëra të rinj diplomohen në fusha për të cilat ka pak ose aspak kërkesë, ndërkohë që ekonomia po fokusohet gjithnjë e më shumë në sektorët e turizmit dhe ndërtimit.

Në këtë kontekst, përmirësimi i politikave të punësimit dhe përshtatja e sistemit arsimor me nevojat e tregut do të jenë vendimtare për të siguruar një rritje më të qëndrueshme dhe të balancuar në vitet e ardhshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit