Freedom House: Të drejtat e plota politike dhe liritë qytetare mbesin të kufizuara në Shqipëri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.02.2025, 22:30

Organizata ndërkombëtare Freedom House ka publikuar raportin e saj për vitin 2024, duke theksuar një përkeqësim të ndjeshëm të lirive politike dhe civile në 60 shtete, ndërkohë që përmirësime janë regjistruar vetëm në 34 vende. Sipas raportit të titulluar *“Beteja e vështirë për të mbrojtur të drejtat”*, mbi 40% e popullsisë globale është e prekur nga ky regres, duke shënuar vitin e 19-të radhazi të rënies së demokracisë në botë.

Sipas vlerësimeve të Freedom House, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të klasifikohen si “pjesërisht të lira”, me një vlerësim përkatësisht prej 68 dhe 60 pikësh nga 100, njësoj si vitin e kaluar. Kjo do të thotë se, ndonëse në këto vende mbahen zgjedhje, liritë politike dhe të drejtat qytetare mbeten të kufizuara.

Edhe shtetet fqinje si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbeten në të njëjtën kategori, ndërsa Serbia ka shënuar një përkeqësim nga 57 në 56 pikë. Serbia është përmendur si një shembull negativ i degradimit demokratik, kryesisht për shkak të shtypjes së lirisë së mediave nga qeveria e Aleksandar Vuçiçit.

Sipas raportit, vetëm 20% e popullsisë botërore jeton në vende plotësisht të lira.

Organizata u bën thirrje qeverive demokratike dhe organizatave ndërkombëtare të përqendrohen në forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike si mënyra për të mbrojtur të drejtat politike dhe qytetare.

“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se mënyra e vetme për të ndalur rënien e lirive globale është që qytetarët të luftojnë për të drejtat e tyre, ndërsa institucionet demokratike duhet t’i mbështesin ata,” tha Gerardo Berthin, presidenti në detyrë i *Freedom House*.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit