Qyteti gjerman Bielefeld është vënë nën masa të rrepta sigurie pas një sulmi me armë zjarri jashtë gjykatës, ku po zhvillohej gjyqi për vrasjen e boksierit shqiptar Besar Nimani.
Nga një makinë e zezë u qëllua ndaj babait dhe vëllait të të pandehurit Hüseyin Akkurt. Një nga autorët e dyshuar u arrestua, ndërsa tjetri është ende në arrati dhe dyshohet se mund të jetë fshehur në një pallat pranë gjykatës. Përveç forcave policore në terren, zona po monitorohet edhe nga një helikopter.
Ngjarja lidhet me vrasjen e Besar Nimanit, 38 vjeç, më 9 mars të vitit të kaluar, kur ai u qëllua 16 herë teksa parkonte makinën e tij në Bielefeld. Hüseyin Akkurt dhe bashkëpunëtori i tij, Ayman Daëoud Kirit, dyshohet se e ekzekutuan për shkak të një konflikti mbi trafikun e drogës. Akkurt u arrestua në korrik në Bruksel dhe sot doli para gjykatës, ndërsa Kirit vijon të jetë në arrati.
Të shtënat ndodhën rreth orës 13:30, pak pas përfundimit të seancës gjyqësore. Sulmuesi fillimisht qëlloi nga trotuari, më pas hipi në një makinë të zezë dhe vazhdoi të shtinte. Vëllai i Akkurt u plagos në këmbë, ndërsa babai i tij mori një plumb në mushkëri dhe ndodhet në gjendje kritike. Policia ka nisur një operacion të gjerë për të kapur autorin tjetër të dyshuar.