Qeveria ka emëruar Gerta Lubonjën në postin e kryetares së Komisionit Kombëtar për Furnizimin me Ujë dhe Përpunimin e Ujërave të Ndotura gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të datës së sotme. Lubonja ka drejtuar më parë Drejtorinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Megjithatë, emërimi i saj në këtë pozicion na rikthen në vemendje disa prej skandaleve ku emri i saj është përmendur. Njëri prej tyre është lidhur me ndërtimin e Unazës së Re, ku kompania DH Albania fitoi tenderin për një segment të kësaj rruge. Kjo kompani është akuzuar për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe për përfshirjen në manipulime të mundshme ligjore, me ndihmën e institucioneve shqiptare që lejuan dhënien e licencës për ndërtimin, para se kompania të regjistrohej zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Raportimet sugjerojnë se Komisioni i Licencave, që drejtohet nga Lubonja, ka lejuar dhënien e licencës për DH Albania, ndonëse kjo kompani nuk ishte ende e regjistruar në momentin e aplikimit, duke ngritur dyshime për mundësinë e ndërhyrjeve të mundshme në favor të individëve të lidhur me këtë kompani.
Në media shkruhej:
"Por më datë 13 korrik, kur është bërë aplikimi, shoqëria “DH Albania” ishte ende inekzistente. Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018, me përfaqësues një 26 vjeçar të panjohur Avdjol Dobin. Prokurorët thonë se është e paqartë se si Sekretariati i Komisionit të Liçencave, ka nisur procedurat mbi një subjekt, që deri në atë momente nuk ekzistonte. Ndërsa nuk dihet sërisht se çfarë dokumetacioni, kompania ka paraqitur për t’u identifikuar si “DH Albania”, duke qenë se e ka patur të pamundur të dorëzojë një ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Komisioni i Liçencave, drejtohet nga Gerta Lubonja, e emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe ka në përbërjen e tij dhe tre drejtorë të Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjitikës. “DH Albania” është dhënë në mbledhjen e datës 30 Korrik 2018."