Kush zotëron të drejtat e përmbajtjeve të Inteligjencës Artificiale? Eksperti thotë se për momentin ‘asnjë’

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 26.02.2025, 15:05

Teksa sistemet e inteligjencës artificiale avancojnë duke krijuar pa kriter përmbajtje sipas kërkesave të përdoruesve, ligji i të drejtave të autorit është ende i paqartë në këtë drejtim, dhe ngre pikëpyetje për kompensimin e krijuesve njerëzorë apo kufijtë e pronës intelektuale, shkruan rrjeti turk Anadolu.

Në një simpozium për të drejtat e autorit dhe medias në Bogazici të Turqisë, eksperti britanik Guido Westkamp, theksonte disa hapësira ‘gri’ që nuk kuptohet qartë sesi do të përcaktohen në të ardhmen në lidhje me AI.

Sistemet aktuale të inteligjencës artificiale janë lënë të lira të përdorin masa gjigante të dhënash, por siç thekson Westkamp, kuadri ligjor është çuditërisht i paqartë.

"Është një pyetje shumë specifike dhe përgjigja aktualisht është se askush nuk di gjë”, tha ai, duke sinjalizuar kaos përkatësie në fushën e re teknologjike.

Westkamp shtoi se ligjet aktuale lejojnë kërkimin e përdorimin e të dhënave, çka ishte krijuar fillimisht për kërkim shkencor dhe jo për inteligjencën artificiale.

Një vendim gjykate i kohëve të fundit në Gjermani duket se ka komplikuar debatin.

"Vendimi në Gjermani ka thënë se inteligjenca artificiale mund të përdorë të dhënat, shkrime, foto e pamje për të gjeneruar modele të inteligjencës artificiale. Është gjithçka e lirë si me kërkimin shkencor, por nuk dihet sesi kjo do të konsiderohet në të ardhmen”, shtoi Westkamp.

Eksperti thotë se krijuesit e përmbajtjeve duhet të kenë të drejtë për të kërkuar shpërblim ose të zgjedhin të mos pretendojnë. "Pikëpamja ime personale është se duhet të ketë shpërblim për gazetarët e autorët, dhe ata gjithashtu duhet të kenë të drejtë të kundërshtojnë”.

Eksperti shtoi më tej për të ardhmen e inteligjencës artificiale: "Çështja mund të ketë lidhje me të drejtat themelore si liria e fjalës e komunikimit, prandaj nuk ka një përgjigje të saktë për këtë. Të shohim si do të shkojë për 20 vjet, sepse tani debati është i parakohshëm”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit