Në seancën gjyqësore të së martës për dosjen “Plumbi i Artë”, e cila zgjati deri në orët e vona të pasdites, bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, u përball me pyetjet e avokatëve të të akuzuarve dhe pati përplasje të ashpra me ish-shokët e tij, Gentian Sharra dhe Asllan Plaku, të cilët i ka implikuar në ngjarje kriminale.
Dumani deklaroi se persona nga burgu i kishin dërguar mesazhe për t’i ndryshuar dëshminë në favor të Gentian Sharrës dhe Suel Çelës, duke i ofruar shuma të mëdha parash në këmbim. Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta, veçanërisht nga Gentian Sharra, i cili iu kundërpërgjigj duke e akuzuar Dumanin për trillime dhe përmendje të emrave që, sipas tij, nuk kanë lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, Asllan Plaku pretendoi gjatë seancës se, në të vërtetë, Dumani kishte kërkuar 200 mijë euro nga Gentian Sharra dhe 500 mijë euro nga Suel Çela për të ndryshuar dëshminë e tij.
Seanca u karakterizua nga tensione dhe debate të forta, ndërsa procesi gjyqësor për këtë çështje vijon.