Ditën e sotme, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, foli në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste pasi SPAK lëshoi 24 masa sigurie ndaj stafit të këtij institucioni arsimor për shkeljet e kryera në tendera.
Gjatë fjalës së tij, Rektori tha se nuk i komenton veprimet e drejtësisë, pasi nuk mbron asnjë person që mund të ketë abuzuar në institucionin që drejton. Sipas tij shumica e pedagogëve janë i përkasin njerëzve të ndershëm dhe se drejtësia do bëjë punën e saj ashtu siç duhet.
"Kemi sqaruar situatën, që në krye të radhës dua të theksoj faktin se ne nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë, absolutisht ne besojmë se do ketë një proces të ndershëm, por ajo që unë besoj është se shumica e pedagogëve të mi i përkasin njerëzve të ndershëm, dhe theksoj prapë se asnjë realitet nuk e zhbëjnë atë punë të kolegëve të mi dhe studentëve, në atë që përfaqësojnë. Unë absolutisht nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar, ia lëmë drejtësisë komplet të hetojë operojë, për një proces të ndershëm. Por ajo që dua të evidentoj është fakti se kam besim se Universiteti Bujqësor jo vetëm do ringrihet."
Por teksa fliste për sulmet që i bëhen Universitetit Bujqësor, sfidave që kanë kaluar me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, Sallaku harroi të përmendte bëmat e tij.
JOQ ALBANIA ka mësuar se një prej përfituesve më të mëdhenj të tenderave në UBT është "Net Group" me drejtues biznesmenin e burgosur tanimë Valter Begaj. Por se si kjo kompani e përfshirë në disa skandale tenderash abuzivë ka përfituar nga fondi i UBT-së duhet të kthehemi pak në kohë.
Fatbardh Sallaku në datën 30 korrik 2020 është zgjedhur Rektor i UBT-së dhe më 24 gusht të po të njëjtit vit ka marrë zyrtarisht detyrën. Edhe pse i zgjedhur Rektor, në një prej universiteteve më të rëndësishme në vend, edhe në 2021, referuar databazës së pagave, Sallaku ka vazhduar punën si ekonomist bujqësor në kompaninë 'Net Group' të Valter Begajt me rrogë 85100 lekë.
Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, tregojnë se "Net Group' që prej vitit 2019 e deri në 2022 ka përfituar nga Universiteti Bujqësor, 6 tendera me vlerë transaksionesh 4 milionë e 500 mijë lekë
Në këto rrethana natyrshëm lind pyetja nëse mes Sallakut dhe drejtorit të tij, ka patur një marrëveshje të heshtur 'win-win', që Begaj të marrë postin e Rektorit dhe të shpërblejë me tendera të vazhdueshëm eprorin e tij pasi prej vitesh Begaj prej vitesh ka marrë miliona lekë nga Sallaku, por s'ka kryer asnjë investim për Universitetin Bujqësor që vijon të jetë pa kondicionerë, me karrige e tavolina të thyera dhe me lagështirë.
Për momentin Begaj ndodhet në burg për tenderat abuzive që ka marrë nga ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, ndërsa Fatbardh Sallaku mjaftohet vetëm me 'llogaritë' që jep te Edi Rama, pasi SPAK po merret me stafin e tij që një blender dore e kanë blerë 2500 euro ndërkohë që në treg shitet për 250 euro.