37 mijë shqiptarë emigruan drejt SHBA-së në 9 vjet, Shqipëria e treta në Europë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 26.02.2025, 13:32

Emigracioni është kthyer në një fenomen masiv për Shqipërinë, duke përfshirë jo vetëm kërkesat për azil në vendet evropiane, por edhe largimin e mijëra qytetarëve përmes mënyrave të tjera të ligjshme.

Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Shtetit, nga viti 2014 deri në vitin 2023, rreth 37 mijë shqiptarë kanë emigruar në SHBA. Vetëm gjatë vitit 2023, Shqipëria ka përfituar 3,436 viza, duke u renditur në vendin e tretë në Europë, pas Ukrainës dhe Rusisë, të cilat ndodhen në konflikt lufte.

Shqipëria mban vendin e parë në Europë për numrin e lartë të emigrantëve drejt SHBA-së. Përpara pandemisë, emigrimi përmes vizave amerikane ka qenë në nivele të larta, dhe trendi vijon të mbetet i qëndrueshëm.

Nga 36,631 shqiptarë që emigruan drejt SHBA-së në vitin 2023, rreth 16 mijë persona (ose 44%) fituan vizën përmes programit të lotarisë amerikane “Diversity Immigrants”. Përveç fituesve të lotarisë, një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve hyn në SHBA përmes bashkimit familjar, një kategori e njohur si “Immediate Relatives” në sistemin e vizave amerikane.

Të dhënat tregojnë se emigracioni shqiptar drejt SHBA-së është kryesisht i motivuar nga kërkimi i mundësive më të mira për punësim dhe jetë. Në vitin 2023, shqiptarët përbënin 11% të totalit të emigrantëve europianë që u zhvendosën drejt SHBA-së për punë ose për bashkim familjar. Shqipëria del në pah si një rast ku preferenca për viza punësimi (“Employment Preference”) është shumë e theksuar, duke reflektuar një orientim të fortë drejt mundësive ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse përfaqëson vetëm 0.3% të popullsisë së Europës, Shqipëria mban rekordin për emigracionin në SHBA në raport me popullsinë e saj. Kjo prirje është e dallueshme edhe në krahasim me vendet e rajonit. Për vitin 2023, Kosova ka përfituar 797 viza për emigrim drejt SHBA-së, Maqedonia e Veriut 547, Bosnja dhe Hercegovina 200, ndërsa Mali i Zi vetëm 120 viza.

Numri i lartë i emigrantëve shqiptarë drejt SHBA-së reflekton një kombinim faktorësh historikë, rrjete të zgjeruara familjare dhe motive ekonomike, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me nivelin më të lartë të emigracionit drejt Amerikës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit