Një shpërthim i fuqishëm me tritol ka tronditur qytetin e Lezhës në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure. Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së qytetit, ku lënda plasëse është vendosur në zyrën noteriale të noterit Fran Gjoni, e cila ndodhet afër sheshit “Gjergj Kastrioti”.
Nga shpërthimi, janë shkaktuar dëme të vogla materiale në objektin e noterisë, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë treguar dy persona të dyshuar që vendosën lëndën plasëse dhe më pas janë larguar menjëherë nga vendngjarja.
Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur arsyet e mundshme pas shpërthimit. Aktualisht, është e paqartë nëse ky incident ka lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm biznesi ose çështje të tjera. Hetuesit janë duke shqyrtuar të gjitha pistat dhe po monitorojnë kamerat e sigurisë për të identifikuar personat përgjegjës.
Policia ka nisur hetimet në lidhje me rastin e sulmit me lëndë plasëse të noterit Fran Gjoni, i cili është vëllai i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 04:00 jemi njoftuar se në qytetin e Lezhës, para derës së zyrës noteriale të shtetasit F. Gj, 57 vjeç, është hedhur një sasi e vogël lëndë eksplozive, e cila ka shpërthyer, duke shkaktuar dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.