Dikur tha se Trump ishte rrezik për botën, Rama: Në 2016 isha i ri, sot i kam flokët e bardhë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.02.2025, 22:57

Në vitin 2016, kryeministri Edi Rama e tha troç dhe pa doreza: “Mos e dhëntë Zoti që Trump të zgjidhej president”, duke paralajmëruar se një fitore e tij do të ishte një rrezik për botën. Ishte një qëndrim i qartë, i prerë dhe i sigurt, ashtu siç i pëlqen Ramës të bëjë deklarata me zë të lartë, sidomos kur mendon se është në anën e duhur të historisë.

Por ja që historia ka një zakon të çuditshëm: nuk e pyet Edi Ramën se si duhet të shkojë! Trump u bë president njëherë dhe, me një rikthim të fuqishëm, është sot përsëri në krye të Shtëpisë së Bardhë. E, si me magji, edhe qëndrimi i Edi Ramës ka bërë një rrotullim artistik 180 gradë.

Në intervistën e tij për një media greke, Rama, tha me një ton të butë e shfajësues: “Në 2016 nuk i kisha të gjithë flokët e bardhë. Isha më i ri dhe ai nuk ishte president, ishte kandidat. Më pas u bë president. Munda ta shoh në veprim nga afër, e sigurisht kam ndryshuar mendim.”

Çfarë mjeshtërie politike! Del që flokët e bardhë nuk sjellin vetëm mençuri, por edhe një ndryshim të menjëhershëm të bindjeve. Rama, dikur i tmerruar nga Trump, tani e sheh atë me një qasje më “të pjekur”, madje qorton edhe Europën duke thënë se do të ishte një gabim i tmerrshëm ta fajësonin Trump për problemet e tyre.

Një njeri cinik mund të thoshte se Rama nuk ka aspak parime të qëndrueshme, por një fleksibilitet politik vërtet për t'u patur zili dhe një aftësi për t'u kthyer nga fryn era e pushtetit ndërkombëtar.

A është ky një akt servilizmi i zakonshëm, apo thjesht një transformim i natyrshëm që vjen me kalimin e viteve dhe zbardhjen e flokëve? Çdo shqiptar e ka të drejtën të gjykojë vetë, por një gjë është e sigurt: Edi Rama, duket se di si të dalë nga situatat, duke hedhur poshtë edhe veten e tij nëse është nevoja, sa herë që kohërat ndryshojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit