Zhvatja e fondeve publike në UBT: Një blender 2500€

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 25.02.2025, 19:05

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar një skandal të rëndë në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku janë abuzuar miliona lekë në prokurime publike. Një nga rastet më flagrante është blerja e një blenderi për 2500 euro, ndërkohë që vlera reale e tij ishte vetëm 250 euro.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje të shumta në prokurimet e universitetit, ku përmes skemave korruptive janë keqpërdorur fonde të mëdha. Një raport i publikuar më herët në vitin 2022, ka risjellë në vëmendje këto parregullsi, duke nxitur autoritetet të ndërhyjnë.

Administratori i universitetit, Eduart Terthorja, së bashku me drejtorin e fondeve publike, Altin Murto, dhe drejtorin e prokurimeve, Amarildo Lleshi, janë arrestuar si pjesë e hetimeve. Ndërkohë, disa zyrtarë të tjerë janë vendosur në “arrest shtëpie”.

Në qendër të kësaj afere qëndron mënyra se si qeveria kontrollon Bordin e Administrimit të universiteteve. Ministria e Arsimit ka shumicën e votave në këtë bord, duke emëruar administratorë që nuk kanë lidhje me akademinë, por me politikën.

Ndërsa pedagogët kërkojnë rritje pagash dhe mbështetje për kërkimin shkencor, fondet e universiteteve po keqpërdoren në prokurime fiktive. Një tjetër rast i zbuluar nga hetimet tregon se në UBT janë “magazinuar” vetëm në letra 100 mijë euro plehra kimike, të cilat në realitet nuk ekzistonin.

SPAK ka hetuar nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh. Megjithatë, ende mbetet për t'u parë nëse hetimet do të çojnë përpara edhe zyrtarë të tjerë të lidhur me këtë aferë.

Pedagogët dhe studentët kërkojnë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi dhe fondet publike të përdoren për përmirësimin e kushteve akademike, jo për pasurimin e zyrtarëve të korruptuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit