Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së hënës fshatin Vilëz, ku një 67-vjeçar humbi jetën si pasojë e një konflikti për çështje pronësie. Pas kërkimeve intensive, autoritetet kanë bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit, Dashnor Tota, 53 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.
Operacioni për kapjen e tij u zhvillua në bashkëpunim mes strukturave të policisë dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, duke përfshirë kontrolle në të gjithë zonën. Si rezultat, mesditën e sotme, 53-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në fshatin Vilëz.
Gjatë ndalimit, atij iu gjet arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer krimi. Hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa materialet për këtë çështje do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.