Një kompani biznesi është tërhequr tashmë nga iniciativa agresive për të detyruar të martohen punonjësit dhe punonjëset e saj të pamartuar, pas kritikave nga publiku në Kinë.
Prodhuesit e kimikateve Shuntian në provincën kineze Shandong, justifikonin iniciativën e javës së shkuar duke thënë se kompania beson në “virtytin, besnikërinë dhe të drejtën”, prandaj punonjësit e saj të pamartuar duhet të përfshiheshin në këto vlera, të cilat arrihen me martesën dhe lindjen e fëmijëve.
“Mosreagimi ndaj thirrjeve të qeverisë për përmirësimin e numrit të martesave është mungesë besnikërie, siç është dhe të mos dëgjosh prindërit. Të qëndrosh i pamartuar nuk është dashamirëse ndaj të tjerëve dhe rrjedhimisht e padrejtë”, thuhej në njoftimin e kompanisë, shkruan rrjeti vendas South China Morning Post.
Prandaj udhëzoheshin të gjithë punonjësit nga 28 deri në 58 vjeç “të martohen dhe stabilizohen” deri në 30 shtator 2025.
Zyrtarët shtonin se ata që nuk e bënin këtë deri në mars “duhet të shkruajnë një letër autokritike”, kurse deri në qershor për ata që ishin ende ‘single’ do të bëhej një rivlerësim i performancës dhe në shtator do të shkarkohen nga puna.
Por kritika të shumta erdhën në drejtim të zyrave të personelit dhe rrjedhimisht njoftimi u tërhoq një ditë më vonë kur u verifikua se ishte në shkelje të ligjeve të punës.
Numri i lindjeve në Kinë ka rënë prej viteve 1980 kur qeveria komuniste vendosi rregullin vetëm një fëmije për çift.
Por megjithë anulimin e ligjit në 2016 popullata ka vijuar rënien dhe tashmë India është bërë vendi me popullatën më të madhe në botë.
Kompania tha se beson në “virtytin, besnikërinë dhe të drejtën”, prandaj punonjësit e saj të pamartuar duhet të përfshihen në këto vlera, të cilat arrihen me martesën dhe lindjen e fëmijëve.