Seanca gjyqësore e zhvilluar sot në GJKKO është shoqëruar me debate dhe tensione, ndërsa i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka vijuar të rrëfejë detaje nga dosja “Plumbi i artë”. Gjatë seancës, i arrestuari Enver Diva është përplasur me Dumanin, duke e pyetur: "Pse s’tregon për çantën me lekë që të dhanë 2 deputetët për vrasjen e Talo Çelës?"
Në dëshminë e tij, Dumani ka mohuar marrjen e pagesës për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, duke sqaruar se ishte përfshirë për arsye hakmarrjeje. “Unë për vrasjen e vëllait të Talos nuk mora asnjë lek, sepse u përfshiva për hakmarrje, pasi u vra Klevis Kapllani. Lekët për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë, me një makinë, pagoi Erjon Alibej,” ka deklaruar ai.
Gjatë marrjes në pyetje nga avokatët, Dumani ka zbuluar disa nga pseudonimet që ka përdorur në sistemin e enkriptuar SKY ECC. “Kam pasur disa pine. Pseudonimet kanë qenë: Covid19, Alcatraz, Toto Rina. Vetëm në SKY kam përdorur Covid19 dhe Toto Rina,” është përgjigjur ai.
Nga ana tjetër, Enver Diva ka dëshmuar se ka qenë i pranishëm në një takim me dy biznesmenë dhe dy deputetë, të cilët i kanë dhënë një fotografi të Talo Çelës dhe një çantë me para, duke kërkuar ekzekutimin e tij. “Nuredin Dumani takoi 2 biznesmenë dhe 2 deputetë në një lokal, i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me lekë dhe i thanë ‘e duam të vrarë’. Pse nuk i tregon ky këto...?!” ka deklaruar ai.
Këtë deklaratë, Dumani e ka kundërshtuar menjëherë në sallën e gjyqit, duke u shprehur: “Nuk është e vërtetë kjo.”
Gjatë rrëfimit të tij, i penduari ka zbuluar edhe detaje mbi mekanizmin e ekzekutimeve me pagesë, duke theksuar se nuk ka ekzistuar një rend specifik për viktimat, por thjesht “kush ishte më i lehtë vritej i pari”. Ai ka folur gjithashtu për lidhjen e tij me Erjon Alibej dhe mënyrën se si u kontraktua prej tij për disa nga vrasjet e ndodhura në Elbasan.
Në dëshminë e tij, Dumani ka rrëfyer edhe për marrëdhënien me Talo Çelën, e cila dikur ishte miqësore, por që përfundoi në armiqësi të ashpër, pasi ekzekutoi vëllain e tij në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Ai ka treguar sesi dhe pse ndodhi vrasja e Bujar Çelës, si dhe përfshirjen e tij në aktivitetet kriminale të organizatave të ndryshme.
Një prej çështjeve të nxehta të diskutuara gjatë seancës ishte njohja e Dumanit me Suel Çelën, kreun e një prej grupeve kriminale më të njohura në Elbasan. Ai ka deklaruar se Suel Çela i ka dërguar një dokument të një dosjeje hetimore në aplikacionin e koduar “MATRIX”, ku Xhuljan Hoxha figuronte si i lidhur me grupin Çapja. “Suel Çela më çoi në aplikacionin ‘MATRIX’ me foto një procesverbal të një dosjeje hetimore, ku Xhuljan Hoxha dilte lidhje e grupit Çapja. Do ta shikoni kur të hapet MATRIX!” ka pohuar Dumani, duke ngritur dyshime mbi përdorimin e platformave të enkriptuara nga grupet kriminale.
Ai ka dhënë gjithashtu informacion mbi përdorimin e aplikacioneve të tjera të sigurta për komunikim, duke deklaruar:“Kam pasur SKY ECC dhe Matrix, dolën pastaj edhe ‘BQ’, unë i kam dhënë Prokurorisë gjithë pinet dhe pseudonimet e mia.”
Seanca ka vijuar me tensione, ndërsa priten të tjera zhvillime nga dëshmitë e Dumanit dhe të pandehurve të tjerë të përfshirë në dosjen “Plumbi i artë”.