Prokuroria në Beograd ka njoftuar hetime dhe veprim për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA (USAID) nga disa organizata joqeveritare në Serbi, pas skandalit të gjerë në SHBA ku fondet e agjencisë së njohur rezultonin se përdoreshin për korrupsion, pastrim parash, influencim të politikanëve dhe abuzime të tjera që nuk kishin lidhje me qëllimet e deklaruara të agjencisë.
Prokuroria serbe tha se prej 25 shkurtit policia ka nisur “të mbledhë informata” për punën e katër OJQ-ve me objektiva “demokratike”: Qendrës për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Inicitivave Qytetare, Qendrës për Politika Praktike, dhe Fondacionit Trag.
“Për të verifikuar akuzat dhe për të grumbulluar prova në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të USAID-it, për keqpërdorim të fondeve dhe shpëlarje të mundshme parash, Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i ka kërkuar Policisë të mbledhë informatat e nevojshme”, tha kryeprokurori serb Nenad Shtefanoviç.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë FBI në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).
Shoqata serbe ‘Iniciativat Qytetare’ njoftoi përmes një komunikate për media, se policia ka hyrë në zyrat e saj më 25 shkurt.
“Këtë mëngjes, rreth 20 zyrtarë policorë kanë bastisur zyrat e Iniciativave Qytetare, duke thënë se kanë urdhër nga prokuroria për të hetuar punën e organizatës, por nuk treguan dokumentin autorizues”, u tha në komunikatë.
Kjo shoqatë shtoi se policia ka bastisur edhe ‘Qendrën për Politika Praktike’, një organizatë që sipas saj nuk ka pasur ndonjë projekt me USAID.
Që prej kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID “organizatë kriminale” dhe ka kufizuar punën e saj duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të saj, më 24 janar.
Administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e USAID-it nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve.