Mbi 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia në lidhje me vrasjen e 67-vjeçarit Dod Mamli, një ditë më parë në fshatin Vilëz të Kurbinit. Megjithatë, autorët e krimit ende nuk janë identifikuar dhe hetimet vijojnë.
Personat e pyetur janë kryesisht banorë të zonës, por dëshmitë e tyre nuk kanë kontribuar në zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, policia ka intensifikuar kërkimet, duke monitoruar masivin pyjor përreth vendit të ngjarjes, në kërkim të ndonjë gjurme apo prove që mund të çojë në autorët e krimit.
Ekspertiza mjeko-ligjore tregon se viktima ka marrë plumba në kokë dhe gjoks, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete. Viktima u gjet nga dy banorë të zonës që po zbrisnin nga mali dhe njoftuan policinë. Familjarët kanë dëshmuar se viktima ka folur me të vëllanë që jeton jashtë vendit rreth orës 16:00 të pasdites dhe mendohet se krimi ka ndodhur vetëm pak minuta më pas.
Grupi hetimor ka sekuestruar telefonin dhe mjetin e viktimës dhe po i shqyrton për ndonjë provë shtesë. Pista kryesore dyshohet të jetë hakmarrja, pasi dy djemtë e viktimës, Enrik Mamli dhe Tom Mamli, ishin të përfshirë në vrasjen e një personi të quajtur Naim Tafa në Mamurras në vitin 2015. Gjithashtu, një tjetër mundësi është një konflikt pronësie, pasi viktima po punonte një tokë në zonën pyjore ku u gjet i vrarë.