Mbi 30 vjet në rradhë për dënimin me vdekje, i burgosuri vdes disa javë para ekzekutimit të tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.02.2025, 21:38

Një burrë që kaloi më shumë se 30 vite në radhën e të dënuarve me vdekje ka ndërruar jetë vetëm disa javë para ekzekutimit të tij të planifikuar.

Christopher Sepulvado, 81 vjeç, nga Luiziana, ishte dënuar me vdekje në vitin 1993 për vrasjen brutale të djalit të tij 6-vjeçar. Ai pritej të ekzekutohej me gaz azoti më 17 mars, por ndërroi jetë nga "shkaqe natyrore" në burgun shtetëror të Luizianës, si pasojë e komplikacioneve nga sëmundjet prej të cilave vuante.

Sepulvado u dënua për vrasjen e djalit të tij Wesley Allen Mercer në vitin 1992, pasi e kishte rrahur me një kaçavidë dhe i kishte hedhur ujë të vluar, duke i shkaktuar djegie të shkallës së tretë në më shumë se gjysmën e trupit.

Autopsia tregoi se fëmija kishte ndërruar jetë nga dështimi i zemrës dhe mushkërive. Për vite, ai ishte abuzuar nga njerku i tij, i cili e kishte rrahur dhe e kishte poshtëruar.

Avokatët e Sepulvados argumentuan se shëndeti i tij fizik dhe mendor ishte përkeqësuar ndjeshëm me kalimin e viteve. Para vdekjes, ai kishte pësuar infeksion të rëndë dhe iu amputua një këmbë nga gangrena.

“Nuk mund ta konceptojmë që shteti planifikonte ta lidhte këtë plak të brishtë në një karrige dhe ta detyronte të thithte gaz helmues. Kjo është thjesht barbare,” tha avokati i tij, Shawn Nolan.

Sepulvado do të ishte personi i parë i ekzekutuar në Luiziana pas një pauze 15-vjeçare dhe i pari që do të vritej përmes hipoksisë me azot. Kjo metodë u përdor për herë të parë në Alabama, ku katër të burgosur janë ekzekutuar deri më tani.

Guvernatori republikan Jeff Landry mbështeti rikthimin e ekzekutimeve, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e Luizianës, Liz Murrill, deklaroi se dënimi duhej të ishte ekzekutuar shumë kohë më parë.

"Një akt kaq i tmerrshëm si vrasja e një fëmije të pafajshëm duhej të kishte marrë drejtësi shumë kohë më parë," tha ajo.

I dënuari i radhës për ekzekutim në Luiziana është Jessie Hoffman, i cili pritet të ekzekutohet më 18 mars. Ai dhe të burgosur të tjerë kanë ngritur një padi federale për të sfiduar dënimin me vdekje në shtet.

Ndërkohë, aktivistët kundër dënimit me vdekje e kanë cilësuar metodën e gazit azot si çnjerëzore. Prifti Jeff Hood e quajti ekzekutimin e parë me këtë metodë në Alabama si "të tmerrshëm."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit