Janë zbardhur detaje të reja nga tragjedia që ndodhi në familjen Hasmegaj nga fshati Mjedë i Vaut të Dejës, ku një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa e motra e tij, 7 vjeçe, ndodhet në gjendje kritike në Pediatrinë e QSUT-së.
Burime nga QSUT informojnë se mjekët dyshojnë për një intoksikacion të rëndë nga ilaçi kundër minjve. Mësohet se prindërit kishin kryer spërkatjen e një magazine me këtë substancë toksike, duke marrë me vete edhe fëmijët. Dyshohet se ata mund të kenë thithur ose pasur kontakt me helmin, duke shkaktuar simptoma të rënda që çuan në tragjedinë fatale.
Nga Spitali i Shkodrës bëjnë me dije se fëmijët e mitur janë paraqitur në spitalin rajonal të Shkodrës ditën e shtunë rreth orës 10:00 të paradites. Pas marrjes së serumit, ata janë larguar për në banesën e tyre me prindërit. Sipas Spitalit të Shkodrës, mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore dhe kërkuar që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme, por prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta merrnin në shtëpi.
Një ditë më pas, gjendja shëndetësore e fëmijëve është përkeqësuar dhe ata janë dërguar sërish në spitalin e Shkodrës nga prindërit në gjendje të rënduar. Sipas spitalit, 3-vjeçari kishte insuficiencë kardiake (puls të ulët, shenja jetësore shumë të ulëta) dhe është dërguar menjëherë në reanimacion, por nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë 10 minuta pas mbërritjes në spital.
Ndërkohë, motra e tij, që kishte simptoma të ngjashme, ka marrë ndihmë të menjëhershme dhe është transportuar drejt Tiranës për trajtim të specializuar. Gjendja e saj mbetet kritike, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar.