Indeksi për të Drejtën e Pronës, Shqipëria renditet e treta nga fundi

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 24.02.2025, 16:24

Në raportin “Indeksi Ndërkombëtar për të Drejtat e Pronës 2024”, Shqipëria është renditur në vendin e 82-të nga 125 shtete në nivel global dhe e 20-ta nga 25 vende në Europën Qendrore, Lindore dhe Azinë Qendrore. Ky pozicionim tregon se Shqipëria vazhdon të përballet me probleme të mëdha në lidhje me të drejtat e pronësisë.

Sipas raportit, komponenti më i dobët për Shqipërinë është e drejta e pronës fizike (PPR), e cila u vlerësua me 4.2 pikë nga një maksimum prej 8.5 pikësh. Pas saj vjen mjedisi ligjor dhe politik (LP), me 4.3 pikë nga 8.7 të mundshme, ndërsa të drejtat e pronësisë intelektuale (IPR) morën 5.2 pikë nga një maksimum prej 8.6 pikësh. Indeksi i përgjithshëm për të drejtat e pronës (IPRI), që përmbledh të gjithë këta tregues, ishte 4.5 pikë për Shqipërinë në vitin 2024. Në rang europian, Shqipëria lë pas vetëm Turqinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Në nivel global, vendi me vlerësimin më të lartë për të drejtat e pronës në vitin 2024 është Finlanda me një rezultat prej 8.1 pikësh, e ndjekur nga Singapori me 7.9 pikë, Danimarka dhe Holanda me 7.8 pikë, si dhe Luksemburgu me 7.7 pikë. Raporti thekson se në vendet e renditura më lart, komponenti më i fortë është mjedisi ligjor dhe politik, i ndjekur nga e drejta e pronës fizike dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Raporti gjithashtu analizon sfidat dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke vënë në dukje se rajoni ndodhet në një pikë kritike për zhvillimin dhe integrimin evropian. Shtimi i investimeve të huaja dhe transformimi dixhital po rrisin efikasitetin në sektorë të ndryshëm, por vendet ballkanike përballen ende me sfida të rëndësishme, si korrupsioni, dobësitë institucionale dhe paqëndrueshmëria politike. Megjithatë, raporti vëren se rajoni ka një potencial të madh rritjeje, sidomos në sektorët e infrastrukturës, energjisë, turizmit dhe teknologjisë. Për të përfituar nga ky potencial, vendet duhet të zbatojnë reforma që përmirësojnë transparencën dhe krijojnë një ambient më të favorshëm për investime.

Një aspekt i rëndësishëm i raportit është theksi mbi bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare. Sipas tij, forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të ndihmojë në rritjen e stabilitetit dhe krijimin e një platforme të përbashkët për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përveç Bosnjës, Shqipëria renditet më dobët për disa arsye kryesore. Së pari, niveli i lartë i korrupsionit dhe menaxhimi i dobët i institucioneve kanë krijuar një mjedis të pasigurt për investime, duke ulur besimin e investitorëve të huaj. Së dyti, infrastruktura e dobët vazhdon të jetë një pengesë për zhvillimin ekonomik, pasi mungesa e investimeve në transport, energji dhe lidhjet dixhitale kufizon mundësitë për rritje dhe integrim evropian. Së fundmi, performanca ekonomike e Shqipërisë dhe klima e biznesit nuk janë konkurruese krahasuar me disa vende të tjera të rajonit, për shkak të mungesës së reformave në administratën publike dhe lehtësive për investime.

Raporti sugjeron se përmirësimi i situatës kërkon përpjekje të përqendruara në forcimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe investime strategjike në infrastrukturë. Vetëm përmes reformave të mirëkoordinuara, Shqipëria mund të përmirësojë performancën e saj ekonomike dhe të afrohet me standardet e vendeve të rajonit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit