Vdes foshnja e porsalindur, pasi nëna e hodhi nga dritarja

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 24.02.2025, 15:21

Një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën në rrethana tragjike, pasi dyshohet se është hedhur nga dritarja e një hoteli në Paris nga një 18-vjeçare amerikane, e cila mendohet të jetë nëna e saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 6 të mëngjesit në hotelin Ibis Style, në lagjen e 20-të të Parisit, në rrugën des Réglises. Sipas raportimeve paraprake, e reja dyshohet se e ka hedhur foshnjën nga dritarja e dhomës së saj, e cila ndodhej në katin e dytë të hotelit.

Dëshmitarët, të alarmuar nga britmat, njoftuan menjëherë autoritetet. Shërbimet e emergjencës mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe foshnja u transportua në spitalin Robert-Debré, në lagjen e 19-të të Parisit. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk mundi të mbijetojë.

Ndërkohë, 18-vjeçarja e dyshuar u dërgua gjithashtu në spital për trajtim. Sipas mediave lokale, ajo ishte pjesë e një grupi studentësh amerikanë që ndodheshin në Paris për një udhëtim studimor. Dëshmitarët kanë pohuar se foshnja është hedhur nga dritarja me kordonin e kërthizës ende të palidhur, çka lë të kuptohet se mund të ketë lindur pak çaste më parë.

Ngjarja ka tronditur autoritetet dhe opinionin publik. Prokuroria e Parisit ka konfirmuar nisjen e një hetimi për “vrasjen e një të mituri nën 15 vjeç”. Në vendngjarje kanë mbërritur një magjistrat nga prokuroria publike, si dhe oficerë të brigadës së mbrojtjes së të miturve (BPM) nga policia gjyqësore e Parisit.

Sipas një burimi të afërt me hetimet, autoritetet janë duke punuar për të sqaruar rrethanat e sakta të kësaj tragjedie. Ende nuk është përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një mohim të shtatzënisë, një fenomen psikologjik ku nëna refuzon të pranojë se është shtatzënë. Hetimet po vijojnë për të zbardhur çdo detaj të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit