Një 17-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në lidhje me të shtënat me armë zjarri dy ditë më parë në Kamëz.
Në ngjarjen e rëndë të 22 shkurtit, objektiv i sulmit të armatosur ishte 30-vjeçari Enedjon Kaçi, ndërsa policia beson se adoleshenti i arrestuar sot, drejtonte automjetin nga u qëllua ndaj makinës së Kaçit.
Hetimet e deritanishme thonë se 17-vjeçari, i nxitur nga persona të tjerë, ka dhënë gjithashtu deklaratë të rreme në përpjekje për të penguar hetimet, prandaj i janë dhënë akuzat “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Ndërkohë tre persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim për ngajrjen. 24-vjeçarët Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, si dhe 30-vjeçari Enedjon Kaçi, janë shpallur në kërkim.
Atentati u regjistrua të shtunën rreth orës 22:00 pranë rreth-rrotullimit “Ulliri” në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz, kur dy autorët e dyshuar, Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë tip “BMW X5” në drejtim të mjetit “Land Rover” me të cilin po lëvizte Enedjon Kaçi.
Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të qendrës së Kamzës dhe më pas braktisën automjetin në rrugën “Valeta”, për të marrë një tjetër makinë tip “Golf” të bardhë. Enedjon Kaçi u largua në drejtim të Kodër Institutit, ku braktisi makinën e tij pranë një karburanti. Hetimet konfirmuan se në krahun e majtë të mjetit të tij kishte dëmtime nga plumbat.
Policia po vijon hetimet për të kapur të gjithë të përfshirët dhe për të zbardhur tërësisht ngjarjen.