Prej disa kohësh, liqeni i Farkës i është nënshtruar betonizimit me ritme të shpejta dhe kullat e vilat që i shtohen kësaj zone të Tiranës janë bërë të panumërueshme.
Përveç shkatërrimit të natyrës, me beton dhe prerje pyjesh, tani oligarkët e ndërtimit po ndotin ambientin edhe me djegien e inerteve në hapësirën ku po ndërtojnë.
Një qytetar ka denoncuar në redaksinë tonë këtë fenomen shqetësues dhe kurrsesi të lejueshëm.
Ai thotë se çdo ditë të javës, kamionët dhe betonierët futen në pedonale duke e dëmtuar dhe shkatërruar atë, ndërsa të dielën, punëtorët e ndërtimit djegin inertet e tyre në zonën ku po ndërtojnë.
Vlen të thuhet se oligarku që po shkatërron çdo ditë e më tepër kodrat e liqenit të Farkës me kulla e resorte, është Gentjan Sula, një emër i njohur në Bashkinë e Tiranës dhe mjaft i dashur për kryebashkiakun Erion Veliaj, që aktualisht ndodhet në burg.
Ky i fundit në 2022, i ka dhënë leje për ndërtimin e kompleksit luksoz me vila 2-3 katëshe, parkim nëntokë dhe pishina. Projekti ka një sipërfaqe të madhe, prej 49.390 m2, me një sipërfaqe ndërtimi që do të arrijë deri në 29.824 m2.
Gentjan Sula është i njohur për lidhjet e tij të ngushta me shtetin dhe përfitimet nga tenderat qeveritarë. Ai ka marrë kontrata me vlerë të konsiderueshme në sektorë të ndryshëm, përfshirë Shëndetësinë, ARRSH dhe institucione të tjera shtetërore.