Një hetim i prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një rast të përndjekjes online ndaj një 14-vjeçareje, e cila u përfshi në një situatë të rrezikshme gjatë lojërave online. Vajza, nxënëse në një shkollë të mesme, kishte hapur llogari në Snapchat, Instagram dhe TikTok për të luajtur online me të panjohur. Pas dy vitesh loje, ajo u njoh me një tjetër person që u prezantoi si bashkëmoshatarr me emrin Sara nga Teksasi.
Në fakt, pas hetimeve u zbulua se pas identitetit të Sara-s qëndronte një i rritur, Ahmad Madi, që jetonte në Finlandë dhe që kishte manipuluar dhe kërcënuar vajzën. Ai kishte vazhduar të mbante kontakte me të, duke e shfrytëzuar frikën e saj dhe duke e kërcënuar për dy vjet. Për më tepër, ai udhëtoi drejt Shqipërisë pasi humbi kontaktet me vajzën, ndërkohë që ajo kishte pasur probleme me prindërit për shkak të përdorimit të telefonit.
Në disa raste, Ahmad Madi i dërgonte vajzës pica dhe ushqime, dhe ajo, nga frika, vazhdoi të komunikonte me të. Prokuroria ka hetuar këtë rast dhe ka konstatuar se Madi është i dyshuar për përndjekje. Vajza ka deklaruar se është kërcënuar, bullizuar dhe i është kërkuar të marrë vendime ekstreme, si vrasja e vetes, si pasojë e manipulimeve të tij.
Kjo situatë mes tyre ka zgjatur dy vjet deri ditën kur Ahmad Madi trokiti në shtëpinë e saj në Tiranë, duke sjellë reagimin e fqinjëve që e neutralizuan derisa aty mbërriti policia.
Ky rast ka tërhequr vëmendjen për rrezikun e bullizmit dhe përndjekjes online, dhe për nevojën e masave të forta për mbrojtjen e fëmijëve nga këto kërcënime. Hetimet po vazhdojnë për të hetuar edhe krime të ngjashme të kryera nga individë të huaj.