Një histori e pazakontë ka ndodhur në qytetin francez të Tuluzës, ku dy hajdutë, pasi vodhën një kartë krediti, e përdorën për të blerë një biletë lotarie që rezultoi fituese në vlerën prej 500,000 eurosh.
Viktima, Jean-David E., e kishte kartën e kreditit në një çantë shpine që iu vodh muajin e kaluar. Hajdutët e përdorën kartën për të blerë disa sende me vlerë 52.50 euro, mes të cilave edhe biletën fituese të lotarisë. Pasi kuptoi që karta i ishte vjedhur, ai kontaktoi bankën dhe e bllokoi, por tashmë ishte tepër vonë.
Sipas raportimeve lokale, dy persona të pastrehë janë ata që kanë blerë biletën, por ende nuk e kanë tërhequr shumën fituese.
Avokati i Jean-David, Pierre Debuisson, deklaroi: “Ata ishin aq të lumtur saqë harruan cigaret dhe sendet e tyre dhe dolën si të marrë.” Jean-David ka paraqitur një ankesë zyrtare në polici, por sipas avokatit të tij, ai është i gatshëm ta tërheqë ankesën nëse hajdutët pranojnë të ndajnë shumën e fituar.
“Nuk rrezikoni asgjë. Le të ndajmë fitimin dhe të ndryshojmë jetët tona,” tha Debuisson, duke iu drejtuar hajdutëve. Megjithatë, ai pranon se zyrtarët mund ta shpallin biletën të pavlefshme për shkak se është blerë me një kartë të vjedhur.
Operatori i lotarisë, La Française des Jeux, ka ngrirë biletën fituese, ndërsa policia po vijon hetimet. Jean-David shpreson se do të mund të arrijë një marrëveshje me hajdutët, por koha po kalon, pasi biletat fituese skadojnë 30 ditë pas blerjes.
“Nuk ka asnjë arsye që ata ta anulojnë fitimin sepse biletëa u ble me një kartë të vjedhur,” tha ai për gazetën La Dépêche. “Pa paratë e klientit tim, ata nuk do të kishin fituar, por pa ata, as klienti im nuk do të kishte fituar. Prandaj, logjikisht, duhet ta ndajmë.”