Konservatorët fitojnë zgjedhjet në Gjermani, humbje historike për kancelarin Scholz, AfD dyfishon mbështetjen

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.02.2025, 21:48

Aleanca konservatore CDU/CSU ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën sot në Gjermani, por me rezultatin më të ulët në historinë e saj.

Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë AfD ka dyfishuar mbështetjen, duke arritur rreth 20% të votave, edhe pse mbeti nën pritshmëritë e saj.

Humbësi më i madh i zgjedhjeve është SPD, partia e kancelarit aktual Olaf Scholz, e cila për herë të parë në histori ka rënë në vendin e tretë, me vetëm 16% të votave.

Zgjedhjet u zhvilluan shtatë muaj më herët se planifikuar, pasi koalicioni i Scholz u shpërbë në nëntor si pasojë e përplasjeve të brendshme dhe pakënaqësisë së publikut.

Reagimet e liderëve të partive:

Olaf Scholz (SPD) pranon humbjen: "Ky është një rezultat i hidhur zgjedhor dhe një humbje e thellë elektorale," tha ai, duke uruar rivalin e tij Friedrich Merz për fitoren.

Friedrich Merz (CDU) flet si fitues, por me tone të kujdesshme: "Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe sfidën që na pret. Nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet të veprojmë shpejt."

Alice Weidel (AfD) feston dyfishimin e votave: "Jemi forca e dytë më e madhe politike në Gjermani. Jemi të hapur për negociata me CDU-në, pasi pa ne nuk mund të formojnë qeverinë."

Merz refuzon bashkëpunimin me AfD: "Nuk do të ketë kurrë koalicion me AfD," tha ai prerazi, duke ndjekur qëndrimin e të gjitha partive kryesore.

Sipas sondazheve paraprake pas-zgjedhore, CDU/CSU fiton zgjedhjet me afro 29% të votave ose 208 deputetë), AfD renditet e dyta me afro 20% të votave ose 150 deputetë, SPD renditen të tretët me rreth 16% të votave ose 120 deputetë, Të Gjelbrit pozicionohen si forcë e katërt në vend me 12-13% të votave ose 88 deputetë në Bundestag, ndërsa Partia 'Të Majtët me 9 % të votave ose 63 deputetë.

Ndërkohë FDP dhe Aleanca Wagenknecht, të cilat rezikojnë të mos hyjnë në parlament, me rreth 5% të votave.

Rezultati lë të paqartë nëse Merz, i cili pritet të jetë kancelari i ri i Gjermanisë, do të mund të krijojë një qeveri me një apo dy parti.

Këto zgjedhje u zhvilluan në sfodin e krizave ekonomike, shqetësimeve për migracionin dhe pasigurisë për të ardhmen e Ukrainës dhe marrëdhënieve me SHBA-në.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit