37-vjeçari Diomet Musa, autor i dyshuar i plagosjes së biznesmenit 52-vjeçar Arben Cipa, Kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Sarandës, është lënë i lirë nga gjykata në më pak se 48 orë nga arrestimi.
Musa, me precedentë të mëparshëm penalë, u paraqit në gjykatë për të marrë masën e arrestit në orën 14.00. Ai është i dyshuar për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje” në bashkëpunim, për goditjen me grushte, shkelma dhe sende të forta të biznesmenit Arben Cipa, rreth orës 16.10 të së premtes.
Pas ngjarjes, Musa u fsheh në një banesë në Lukovë, ku edhe u kap nga policia në mbrëmje, ndërkohë që në kërkim mbetet kushëriri i tij 29-vjeçar Markelian Musa.
Nuk dihet ende se si është motivuar kjo masë sigurimi nga ana e Prokurorisë por gjyqtarja Esmeralda Shehu ka vendosur për masën “Arrest në shtëpi”, duke urdhëruar që i dyshuari mos të largohet nga banesa e tij në lagjen nr.3 të Sarandës.
Vetë Cipa ka kërkuar më parë ndërhyrjen e shtetit pasi Saranda është duke u kontrolluar nga “të paprekshmit” e “të fortët”, të cilët janë në qendër konflikteve të pronësisë por edhe kërcënimeve të tjera ndaj qytetarëve.
Shkak i konfliktit ishte ndërtimi i një linje elektrike që po bënte Arben Çipa për të furnizuar me energji një bar restorant në zonën e Heremecit. 52-vjecari pretendon se po ndërton linjën elektrike në bazë të një projekti të OSHEE, ndërsa autorët kanë kundërshtuar, pasi aty ata “do ndërtojnë një biznes”.